Ish-trajneri i Napolit, Xhani Di Marcio, tashmë konsulent i merkatos së futbollit, ka sulmuar ashpër mbrojtësin e Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili sipas italianit, ishte fajtor për pësimin e golit të parë, duke bërë një gabim, që nuk bëhet as në futbollin amator.
Di Marcio e ka quajtur shkodranin si një futbollist që nuk ka vazhdimësi dhe bën gabime elementare duke i dhënë forcë kundërshtarit.
“Hysaj bëri një gabim të madh në ndeshjen ndaj Interit, dhe nuk e kuptoj pse nuk e mbrojti veten në rastin një kundër një me sulmuesin Lukaku.
Diçka e tillë nuk bëhet as në Serinë B dhe ndoshta te amatorët. Pikërisht, kjo është e vërteta. Pa hidhëruar askënd, ky është realiteti. Shqiptari nuk ka vazhdimësi dhe po bën gabime elementare dhe duke i dhënë kundërshtarit forcë”, u shpreh Di Marcio për “Marte Sport Live”.
Di Marcio ka drejtuar Napolin në sezonin 1977-1979, teksa në periudhën kur mori drejtimin e napolitanëve ishte vetëm 37 vjeç. Tashmë italiani është 79-vjeç. Klubi i fundit që drejtoi ishte Palermo në sezonin 1991-1992.