Në mbrëmjen e djeshme, Shqipëria mori një fitore tejet të rëndësishme përballë Islandës me rezultatin 4-2. Një sukses, i cili ende le të hapur një mundësi për t’u kualifikuar edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë për të përsëritur suksesin e vitit 2016. Ndërkohë, kuqezinjtë në sfidën e mbrëmshme ndaj Vikingëve kanë arritur të shënojnë për herë të parë katër gola në një ndeshje zyrtare.

Shqipëria pavarësisht lojtarëve dhe kualiteteve që ka pasur në të kaluarën, asnjëherë nuk ia kishte dalë të shënonte kaq shumë në një ndeshje zyrtare kualifikuese, qoftë për europian apo botëror. Në këtë formë, edhe ky ishte një tjetër aspekt pozitiv.

Ndërkohë, në ndeshje miqësore, goleadat nuk mungojnë teksa ndër më të spikaturat është ajo me Qipron në vitin 2009. Në atë kohë, Shqipëria fitoi me rezultatin 6-1, ndërsa shënonte dy gola Ervin Skela, më pas Bogdani, Klodian Duro, Ansi Agolli dhe mbyllte llogaritë Emiliano Vila./vipsport/