Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, mendon se ekipi i tij e meritoi plotësisht fitoren ndaj Vorës, pavarësisht polemikave në fund për golin e anuluar.
“Janë pjesë e jetës, lojës së futbollit, ato emocionet sa më pak ti kemi që e çuam deri aty. E merituam fitoren, përveç situatës që erdhi në fund, një situatë që e pamë në video dhe është faull. Duhet të bënim golin e dytë, të ishim më cinik para portës. Mundohemi, çunave nuk u vë faj, por u kërkoj të jenë më cinik në zgjedhjet që bëjnë, kur duhet të godasin, të godasin dhe kur duhet të pasojnë, të pasojnë. Këtu kemi një moskuptim mes lojtarëve, rrjedh nga situata që jemi ekip i ri, sot debutoi një tjetër te ne. I dimë vlerat tona dhe mangësitë, por duhet të punojmë akoma dhe të jemi ekip që kemi stabilitet se ndonjëherë futemi në presion, duhet të menaxhojmë edhe më mirë.
Ka edhe ekip kundërshtar që të fut edhe ai në vështirësi, por siç e thashë, pas një humbje me Partizanin, ky ishte reagimi më i mirë i ekipit. Këtu i duhen dhënë merita, që pas një humbje të luash përsëri duhet të reagosh, nuk kemi kontroll te të gjithë gjërat. Duhet të reagojmë ne se si jeta, edhe futbolli të vë në vështirësi. Vora na analizon, është ndeshja e tretë që luajmë, punojnë, kanë vazhdimësi, është sezoni i dytë me trajnerin dhe lojtarët janë të njëjtët. E dimë që kemi mundësi edhe më shumë, na mungon pak maturia dhe zgjedhjet e duhura në 20 metrat e fundit. Se kur bëjmë analizën, shohim që ekipi ka mendim, punon, ka lëvizje, këtu kemi mangësi. Por më bëhet qejfi se fitorja është fitore. Edhe për Kotobellin i cili si kapiten futet pas disa ndeshjeve dhe jep komplet gjithë mundësitë e forcën që ka, tregon karakter. Tregon që ekipi ka dinjitet e personalitet të ecim në këtë rrugë. Kemi mungesa, por nuk ankohem, se është pjesë e lojës, mënyra si reagoi ekipi ka meritat më të mira.
Nuk do të them se kemi problem taktik, se pas golit krijuam më shumë. I vetmi rast i Vorës ishte situata në minutën e fundit shtesë. Ne kishim edhe 2-3 raste të tjera të shënonim, që ndonjëherë ekipi të jetë duke fituar 1-0 e do ta menaxhojë… Nuk është se nuk ka besimin, të fut ekipi kundërshtar, nuk ka çfarë humbë e nis të luajë me top të gjatë e ti tërhiqesh. Kur ke Ruzgis dy metra të fut gjithmonë në vështirësi në dyluftimet e lartësisë. Po, duhet ta menaxhonim më ndryshe, të ishim më të qetë. Por nuk është çdo gjë e zezë në të bardhë, futet edhe ngjyra gri. Jemi ekip i ri, po na vijnë lojtarë e futen, sa të lidhen. Po, pas humbjes që nga 2-0 e humb 3-2, të mbetet një plagë nga ajo pjesë.
Ekipi u ngrit jashtëzakonisht mirë. Reagoi, u ringrit por nuk bëmë direkt KO, goditëm pak, por kemi raunde ende. Deri tani po marrim pikët siç i humbëm ne më parë. Por do vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes.







