Trajneri Ismet Munishi, analizoi në Tv Klan, shortin për “play off”-in e Botërorit, ku Shqipëria u vendos përballë Polonisë, ndërsa Kosova ndaj Sllovakisë.

Sipas tij, Shqipëria i ka mundësitë të kalojë më tej, por nëse futbollistët rrisin nivelin dhe nëse Silvinjo bën zgjedhjet e duhura.

Munishi u shpreh se shpesh nuk ka qenë dakord me disa zgjedhje të bëra nga trajneri i Shqipërisë.

Në lidhje me Kosovën, ai theksoi se “dardanët” kanë pasur fat që të luajnë ndeshjen finale në shtëpi nëse kualifikohen.

“Të gjithë kundërshtarët që kanë ardhur deri këtu, kanë vlerat e tyre. Skuadrat më të forta shikoj Italinë dhe Danimarkën. Mirë që Shqipëria dhe Kosova i kanë shmangur.

Fat për Shqipërinë dhe Kosovën, që shmangën këto dy kundërshtarë. Fat për Kosovën, që në rast se kalon në finale, do të luajë këtu në Prishtinë.

Unë mendoj se më shumë do të varet, se me çfarë forme do të jenë lojtarët e Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë treguar se kur kanë pasur lojtarët në nivel dhe trajnerin në nivelin e duhur, kemi mundur skuadra shumë të forta.

Ka mundësi për kualifikim, nëse Shqipëria do të jetë ajo që kemi parë, jo si në këto kualifikuese. Unë mendoj se ka pasur rënie, përveç ndeshjes me Serbinë, e cila ishte produkt i luftës me zemër dhe sakrificës, sesa i kualitetit që kemi treguar. Shqipëria i ka mundësitë, por do të varet sa do të ketë rritje dhe zgjedhjeve të trajnerit. Kohët e fundit shumë herë nuk kam qenë dakord, por për shkak të momentit nuk kemi folur. Nuk jam pajtuar me disa zgjedhje që ka bërë trajneri Silvinjo”, deklaroi Munishi.