Këto ditë është zhvilluar Kampionati Europian për Kombëtaret U17. Një turne që në fund pa fitimtare Kombëtaren e Holandës, e cila mposhti në finale Italinë. Mirëpo, një nga lojtarët më të spikatur të ‘axurrëve’ është edhe Marko Molla.

Molla, i cili aktivizohet në rolin portierit është me origjinë shqiptare, pikerisht nga Shkodra dhe në këtë kompeticioni ka qenë një nga pikat kryesore që të kaltrit mbërritën deri në finalen e Europianit.

Lojtari i datëlindjes 2002 ka qenë më parë i grumbulluar në miqësoret e moshave U16 dhe U17 të Kombëtares së Shqipërisë, por më pas zgjodhi të përfaqësojë Italinë. Këto finale të Europianit kanë qenë prova se Mollën e pret një e ardhme e madhe përpara, teksa nga përtej Adriatikut i kanë bërë jehonë paraqitjeve të tij, ndërsa nuk mungojnë as krahasimet me Jan Oblak.

“Një fizik imponues, që e lejon të jetë padron i zonës së tij në topat e lartë, ndërsa lexon në mënyrë perfekte trajektoret. Ndërkohë centimetrat e lejojnë të mbërrijë edhe në cepat më të largët të portës, ndërsa di të luajë edhe me këmbë, duke iu afruar një profili të ngjashëm me atë të Jan Oblak.

Slloveni është dhe një nga shembujt që Molla ndjek”, ishte përshkrimi për Mollën. Tashmë synimi i Mollës është Botërori në muajin tetor, ku me Italinë do të ketë sërish mundësinë të shfaqë vlerat e tij./vipsport/