Elbasani i ka dhënë lamtumirën Europës duke u eliminuar që në turin e parë të Ligës së Konferencës, në pjesëmarrjen e parë në turnetë ndërkombëtarë. Ishte një fund me dramë për verdheblutë, të cilët janë eliminuar nga BATE Borisov vetëm pas gjuajtjeve të penalltive.
Pas barazimit 1-1 në shtëpi, elbasanasit luanin ndeshjen e kthimit në Azerbajxhan me bindjen se mund të fitonin dhe të vazhdonin më tej, duke parë problemet e ekipit bjellorus i cili aktualisht rrezikon rënien nga kategoria në kampionatin vendas.
Por në fushën e lojës, sulmi i skuadrës së Gvozdenoviç ka krijuar shumë pak në krahasim me atë që pritej dhe në 120 minuta, ishte Aleksovski ai i cili u detyrua disa herë të bënte ndërhyrje vendimtare për të shpëtuar ekipin.
Kësisoj, pas barazimit pa gola u desh të gjuheshin penalltitë dhe aty Elbasani ishte në kontroll derisa Karrica gaboi gjuajtjen e pestë që mund t’i jepte kualifikimin ekipit. BATE mori avantazhin dhe më pas edhe Epito goditi traversën, duke i dhënë fund ëndrrës europiane të Elbasanit për këtë sezon.
BATE-ELBASANI 0-0 (penallti 5-4)


