Italia U17 ka fituar edhe ndeshjen e dytë në grup, këtë herë ndaj Austrisë në finalet e Kampionatit Europian që janë duke u zhvilluar në Irlandë.

Axurrët kanë fituar 2-1 këtë herë dhe kanë siguruar kësisoj daljen në çerekfinale të këtij kompeticioni. Edhe në këtë takim, ashtu si në atë ndaj Gjermanisë tre ditë më parë, portën e kombëtares italiane e ka mbrojtur me sukses shkodrani Marco Molla.

Ai ka luajtur për 90 minuta në fushë si titullar dhe ka bërë një performancë të mirë duke e ndihmuar Italinë që të fitojë dhe të kualifikohet. Ndërkohë edhe Spanja ka fituar 1-0 ndaj Gjermanisë po sot dhe në këtë mënyrë për të përcaktuar skuadrën e vendit të parë në grupin D, do të jetë sfida direkte në mes Spanjës dhe Italisë që do të zhvillohet pas dy ditësh, e cila do të vendosë gjithçka.

E rëndësishme është që Molla vazhdon të paraqitet mirë dhe bashkë me futbollistët e tjerë të kombëtares italiane kanë si objektiv të shpallen kampionë të Europës, do të ishte një sukses shumë i madh për të.

Por nga ana tjetër, edhe shkodranët do të ndiheshin të lumtur që një bashkëqytetar i tyre po luan në nivele kaq të larta.
© shkodrasport.com