Historia e Elvis Kabashit është një nga të shumtat që kanë refuzuar Shqipërinë për një Kombëtare tjetër dhe për asnjë moment nuk kanë arritur të shohin sukses. Sulmuesi i cili dikur ishte pjesë e Juventusit në Itali, refuzonte Shqipërinë duke qenë se dëshira e tij ishte të luante për Italinë dhe këtë e bënte nëpërmjet një letre zyrtare të dërguar në FSHF.
Kabashi është penduar dhe për të treguar që realisht ka dëshirë të luajë për Shqipërinë, ka nisur të gënjejë hapur me pretekstin se atë letër e ka dërguar menaxheri i tij në FSHF, ndërkohë që në të vërtetë ka qenë babai i tij ai i cili ka bërë me dije diçka të tillë. Në një prononcim për ‘Digisport.ro’, Kabashi është shprehur se punon fort që një ditë të arrijë te Shqipëria pasi dëshira e tij është që të luajë për kuqezinjtë.
“Me Alijin kuptohemi shumë mirë dhe kemi një marrëdhënie shoqërore dhe jashtë fushe. Është mirë të jesh në një ekip me një shqiptar tjetër. Shpresoj, sepse ka pasur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me Kombëtaren. Është folur për një letër që unë kam shkruar, por nuk është e vërtetë, sepse letrën e pati shkruar ish-menaxheri im, me të cilin kam disa gjyqe të hapura. Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares, sepse, nëse unë nuk do të doja të luaja me Shqipërinë nuk do të luaja as me 19-vjeçarët në eliminatoret e Europianit.
Prindërit e mi janë Shqiptarë, unë kam lindur në Itali, por gjaku im është ai i një shqiptari, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithë këtë rrëmujë e ka shkaktuar ish-menaxheri, i cili nuk donte që të luaja me Kombëtaren, por të përqendrohesha vetëm tek Juventusi. Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën, ndërsa unë nuk kam folur më parë për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë.
Ndoshta duhet të isha kundërpërgjigjur, por m’u duk sikur do t’i hidhja benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është Kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është një krenari të mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të përpiqem të stërvitem e të punoj sa më shumë për t’u rikthyer në Kombëtare”, tha Kabashi. /VipSport/