Izmir Smajlaj është një ndër sportistët shqiptarë, që po mundohet të mbajë formën e tij në kushtet e karantinës. Në pritje të rrifillimit të aktiviteteve, ndërsa tashmë ka mbetur vetëm Kampionati Evropian i të rriturve, që do të duhet të zhvillohet në Paris, Smajlaj tregon se si dhe ku po stërvitet.

“Unë ndodhem prej tre javësh në Qafë Shtamë në izolim me familjen time. Këtu po mundohem të ruaj formën time sportive, ndërsa nga ky vit na ka mbetur vetëm Kampionati Evropian, pasi Kampionati Botëror, Lojërat Olimpike dhe Mitingjet Ndërkombëtare janë anulluar”, ka thënë Smajlaj.

Vetëm vrapime në natyrë, por pa një pistë kërcimi, ndërsa për rekordmenin e kërcimit së gjati gjithçka është e vështirë në të tilla kushte. Por duhet punuar dhe kështu. “Gara jonë është një garë specifike dhe kërkon një stërvitje të veçantë. Mua më duhet gropa e kërcimit, të cilën këtu nuk e kam”.

Shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për vitin e ardhshëm i ka dhënë një shans për shumë Izmir Smajlajt për të qenë me normë në Japoni më 23 korrik – 8 gusht të 2021. “Këtë vit isha në formën time më të mirë sportive dhe jam pak i mërzitur nga që na u shtynë Lojërat Olimpike, sepse isha i bindur që do ta kapja normë.

Por edhe viti tjetër nuk është keq, sepse unë kam besim që do ta kap normën olimpike”, ka përfunduar Smajlaj. Përgjatë këtij viti, Smajlaj pat arritur tre vende të para. Më 15 shkurt ishte Kampion Ballkani në sallë të mbyllura me 7.91 metra.

Më 16 shkurt ishte i artë në Mitingun e Stambollit me 7.94 metra dhe më 28 shkurt i artë në Mitingun e Beogradit po me 7.94 metra. Karantina dhe koronavirusi i preu hovin të gjithë sportistëve, një ndër ta edhe Izmir Smajlaj…/gjergj vyshka google news/