Situata e krijuar nga përhapja me shpejtësi e koronavirusit, vijon të jetë e rëndë në të gjithë botën dhe momentalisht nuk ka ende një afat se kur mund të rikthehet normaliteti për njerëzit, aq më tepër për futbollin ,që është ndalur prej më pak se një muaji.

Megjithatë La Liga spanjolle po përgatitet për të rifilluar kampionatin sa më shpejt dhe sipas mediave iberike, ka përpunuar një protokoll në lidhje me mënyrën se si do të operohet me seancat stërvitore, para se të rinisin ndeshjet.

Kështu në materialin që pritet t’u shpërndahet klubeve këto ditë, urdhërohet që lojtarëve t’u bëhet tampon bashkë me familjarët rreth 72 or para nisjes së grumbullimit dhe të gjithë ata që do të rezultojnë negativë, do të sistemohen në hotele ose në qendrat stërvitore të ekipeve përkatëse, në izolim dhe masa të rrepta sigurie.

Aty sugjerohet që të rrinë në izolim dhe ambientet të dezinfektohen vazhdimisht me alkool e mjete të tjera të përshtatshme, ndërsa fillimisht do të nisin seancat individuale, për të vijuar më pas me stërvitje në grupe me 8 lojtarë dhe deri te seancat normale stërvitore.

Gjithashtu në protokoll theksohet se në ambientet e mbyllura, siç janë palestrat, nuk do të lejohet të stërviten më shumë se dy futbollistë në të njëjtën kohë. Ky plan masash pritet të vihet në zbatim në momentin që do të urdhërohet rinisja e stërvitjes, që në Spanjë parashikohet të ndodhë rreth datës 15 prill.