Shkruar nga Endri ÇINARI
Besëlidhja po vijon punën për ndërtimin e skuadrës që do të përfaqësojë klubin në sezonin e ri të Kategorisë së Parë. Drejtuesit lezhjanë nuk po fokusohen vetëm te afrimet në organikën e futbollistëve, por edhe te kompletimi i stafit teknik, me synimin për të krijuar një strukturë sa më konkurruese për objektivat e sezonit.
Pak ditë më parë, klubi zyrtarizoi afrimin e Ndriçim Shtubinës në rolin e zëvendëstrajnerit, duke i besuar ish-futbollistit shkodran një detyrë të rëndësishme përkrah trajnerit Elvis Plori. Megjithatë, duket se lëvizjet në staf nuk do të ndalen me kaq.
Sipas informacioneve që siguron “Shkodra Sport”, një tjetër emër i njohur i futbollit shkodran pritet t’i bashkohet Besëlidhjes. Bëhet fjalë për Ideal Lekiqin, i cili është shumë pranë marrjes së detyrës së trajnerit të portierëve te skuadra lezhjane. Palët kanë zhvilluar bisedimet e nevojshme dhe rikthimi i tij në Lezhë duket një mundësi konkrete.
Lekiqi vjen me një eksperiencë të konsiderueshme në këtë rol. Për disa sezone ai ka qenë pjesë e stafit të Vllaznisë si trajner portierësh, ndërsa ka kontribuar gjithashtu edhe në ekipet kombëtare të moshave. Së fundmi ai ka ushtruar detyrën e tij në Akademinë Vllaznia, duke vijuar punën me talentet e rinj të futbollit shkodran.
Për Lekiqin kjo do të ishte një rikthim në një ambient të njohur, pasi edhe më herët në karrierën e tij ka punuar te Beselidhja. Ndërkohë, mundësia për t’u bërë pjesë e një skuadre të parë dhe e një projekti ambicioz duket se e ka bindur të pranojë sfidën e re.
Nëse marrëveshja finalizohet, atëherë Beselidhja do të ketë një staf me “ngjyrime” të forta shkodrane. Elvis Plori në krye të pankinës, Ndriçim Shtubina si zëvendësi i tij, Sidrit Barbullushi në staf dhe tashmë edhe Ideal Lekiqi te portierët do të formonin një grup pune që synon ta rikthejë skuadrën lezhjane mes protagonisteve të Kategorisë së Parë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



