Mbrojtësi 20 vjeçar Dejvi Lesha në sezonin e ri ka vendosur të rikthehet sërish te Vllaznia dhe prej gati një muaji i është bashkuar ekipit Vllaznia B të drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi.
Për lojtarin e linjës së djathtë të prapavijës, ka patur interes edhe nga disa ekipe të tjera, megjithatë ai ka preferuar të rivishet kuqeblu. Lesha ka zhvilluar një sezon të mirë vitin e kaluar me Basanian në kategorinë e dytë dhe kjo e ka forcuar edhe më shumë atë në të gjithë aspektet.
Kemi të bëjmë me një futbollist që premton shumë për të ardhmen dhe me siguri që këtë sezon me Vllaznia B do të rritet edhe më shumë sepse i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për ta bërë këtë gjë.
Dejvi Lesha ka qenë fillimisht pjesë e Akademisë “Djelmnia shkodrane”, më pas ka luajtur një sezon me Laçi U19, për t’iu bashkuar Akademisë Vllaznia para se të luante sezonin e kaluar me të rriturit si pjesë e Basanias. Ndërsa tashmë do të jetë pjesë e ekipit të dytë të klubit kuqeblu ku shpreson të bëjë sa më mirë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


