Ankthi nga Koronavirusi që ka pushtuar Europën në këto javë, e ka bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjeve të futbollit. Kampionatet janë në ndërperë dhe presin të rifillojnë vetëm duke parë vazhdimësinë e situatës. Ndërkohë, ditën e djeshme, UEFA ka marrë vendimin ekstrem të detyruar për të shtyrë kampionatin Europian që ishte programuar të zhvillohej në këtë verë.
Tashmë, Euro 2020 është kthyer në Euro 2021, e kështu kampionatet me Ligën e Kampionëve me Ligën e Europës do të mund të përfundojnë të gjitha sfidat e mbetura përgjysmë. Ndërkohë, ky lajm për shtyrjen e Euro 2020, është një lajm pozitiv për disa futbollistë të cilët janë të dëmtuar dhe do të humbnin pjesëmarrjen në kompeticionin e rëndësishëm.
Një nga ata ishte Nikolo Zaniolo. Talenti i Romës këputi ligamentet dhe vështirë se do të bëhej gati për Europianin, por tashmë ka mundësi të marrë pjesë. Një tjetër rast është ai i Osman Dembele të Barcelonës. Ndërkohë, po nga La Liga është edhe rasti i dy madrilenëve, Eden Hazard e Marko Asensio.
Belgu pas frakturës së fundit vendosi në rrezik serioz Europianin, ndërsa spanjolli Asensio është i dëmtuar që para fillimit të sezonit. Ndërkohë, jashtë Europiani do ishte edhe Demiral i Juventus dhe ylli i Holandës, Memfis Depaj. Ndërkaq, edhe dy emra të tjerë janë ato të Xhenk Tosun e Niklas Syle i Bajern Mynih. /VipSport/