“Panorama Sport” ju përcjell më poshtë pikantet e ndeshjes së luajtur të shtunën në “Loro Boriçi”, ku protagonist kryesor u bë trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, i cili pati edhe një duel në pistë me kolegun e tij, Tomas Brdariç. -Prani e pakët tifozësh në “Loro Boriçi”.

Duket se rezultatet e fundit negative kanë zhgënjyer mbështetësit shkodranë që nuk ishin të shumtë në shkallët e stadiumit.

-Nuk mungon një pankartë e tifozëve nga diaspora në stadium ku shkruhej: “N’ty mendoj kur agon drita, n’ty mendoj kur soset dita”. -Lojë e rëndë e futbollistëve të Kastriotit në minutat e para. Diçka e tillë kontestohet nga stafi i Vllaznisë, por edhe tifozët.

-Altruizëm i tepruar nga Aralica që në një moment kur duhej të godiste portën, pason te Latifi i cili gabon. -“Show” i trajnerit Ndreu, i cili i hakërrehet Kodrës për një vendosje të gabuar të tij.

-Në një moment që topi po dilte jashtë ka një duel mes Ndreut dhe Brdariç se kush ta zotërojë “sferën”. Topin e merr trajneri i Kastriotit, i cili e shkelmon te pankina e tij. Në një moment, Tomas Brdariç niset drejt Ndreut për të marrë një top, por trajneri i krutanëve dukej mjaft i nxehur dhe goditi topin në anën tjetër të pankinës.

Ky moment shkaktoi mjaft ovacione e vërshëllima në “Loro Boriçi”, por trajneri Brdariç që ishte protagonist e mori me sportivitet episodin duke qeshur. Veprim që irriton tifozët.

-Ardit Hoxhaj humbet një rast shumë të pastër. Vlonjati nuk iu beson syve, por tifozët e duartrokasin sulmuesin duke i dhënë kurajë.

-Tifozët “kapen” me Ndreun duke e vërshëllyer disa herë.

-Ndërkohë nuk mungojnë as batutat që u drejtohen futbollistëve të Kastriotit me fjalët: “Shtrihuni si sezonin e kaluar”.

-Arbitri kryesor vonon shumë në marrjen e vendimit për golin e Ajazit të Kastriotit, gjë që nervozon të pranishmit. -Bulatoviç rikthehet pas dëmtimit. Mbrojtësi malazez aktivizohet në minutat e fundit të ndeshjes duke bërë edhe debutimin në Superiore.