Ndërsa Premier Liga po u jep dorën e fundit përgatitjeve për rinisjen e stërvitjes dhe ndeshjeve, Serxho Aguero pranon se është i shqetësuar nga situata e Koronavirusit në Britani dhe lëshon alarmin.

“Pjesa më e madhe e futbollistëve kanë frikë të kthehen të luajnë, kanë fëmijë, kanë foshnja, kanë prindër, kanë një familje”, shpjegoi sulmuesi i Mançester Sitit gjatë një interviste për “El Chiringuito”. Sezoni në Angli është ndërprerë më 13 mars pas zbulimit të rasteve të para me Koronavirus në klubet e Premier Ligës. Por autoritetet përgjegjëse po bëjnë të pamundurën për ta rikthyer futbollin në fushë muajin e ardhshëm dhe mbyllur sezonin 2019-’20.

Por “Kun” mendon se jeta është më e rëndësishme në këtë moment. “Nëse dikush do të infektohet, atëherë do themi se çfarë po ndodh këtu? Unë jam mbyllur në shtëpi me partneren time. Ka njerëz që janë me Koronavirus që nuk kanë simptoma dhe mund ta transmetojnë atë”, shtoi bomberi argjentinas, duke hedhur dyshime për vullnetin e futbollistëve për t’u rikthyer në fushë për të luajtur 92 ndeshjet e mbetura të kampionatit.

“Edhe unë mund të jem i infektuar dhe nuk e di. Kur të rikthehemi në stërvitje, lojtarët do të jenë nervozë dhe super të kujdesshëm.

Shpresojmë që të gjendet së shpejti një vaksinë dhe e gjitha kjo të përfundojë. Unë jam i trembur, por kam qëndruar në shtëpi vetëm me të dashurën time, nuk kam patur kontakt me njerëz të tjerë. Ka njerëz tëinfektuar dhe asimptomatikë dhe për këtë arsye jemi izoluar dhe nuk kemi patur kontakt me askënd”.

UEFA i ka udhëzuar federatat që t’i përfundojnë sezonet brenda muajit korrik, duke mundësuar luajtjen e ndeshjeve të mbetura të sezonit në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës në muajin gusht. Por golashënuesi më i mirë në historinë e “Qytetarëve” hedh dyshime për të ardhmen e Kupave të Europës:

“Pesëmbëdhjetë ditë më parë, na u tha një datë rikthimi në stërvitje dhe ajo ishte 4 maji. Tani ka një takim tjetër. Do të jetë e vështirë që ta luajmë Ligën e Kampioneve në gusht”.