Andis Harasani, një nga kundërshtarët e Edi Ramës në Partinë Socialistë vite më parë, ka vendosur të thumbojë kryeministrin pas intervistës së dhënë ditë më parë për “Tuttosport” në Itali. Kreu i qeverisë tregonte se ishte juventin dhe Harasani e ngacmon me atë që ka postuar në “Facebook”, duke u shprehur se Rama i ka skuadrat e zemrës si politikat e tij.

“Lexova që qenke tifoz me Juventusin. Kur sapo u bëre Kryetar i PS shkuam një grup pamë një ndeshje në Itali. Luante Roma me Milan. Ti dhe një shoku ynë gëzoheshit pa fund për Romen. Ai shoku ka ngelur ende me Romën.

Mu kujtua një ‘sms’ para shumë vitesh. Po dilja nga stadiumi në Spanjë, ku Bayern humbi finalen me Inter. Më ngacmoje e shprehje gëzimin tënd për fitoren e Inter. Të thashë a ishe me Romën dhe më the se je me Interin, pasi ka Mourinho.

Dhe duke shkruajtur këtë mesazh m’u kujtua që para Romës ke qenë me Lazion. T’paktën kështu the në një darkë me Lotiton. Tani qenke bo me Juven.

Pse o zotëri ke dhe sportin si politikat? Njëherë kundra kanabisit, njëherë pro. Njëherë me të fala Sandrit dhe herës tjetër duke e marre ne tel. S’po e vazhdoj se duhet social distancing”, shkruan Andis Harasani në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews/