Erzeni nuk e diskuton ngjitjen në Superiore dhe nuk ka në plan që të dorëzohet, pavarësisht humbjes së fundit ndaj Lushnjës, 1-0. Edhe pse nuk shënoi në këtë ndeshje, sulmuesi shkodran Jasmin Rraboshta dëshmoi për të disatën herë që është një lider tek Erzeni.

Ai ka qenë protagonist në disa takime të javëve të luajtura deri më tani, teksa ka shënuar 12 gola. Rraboshta është inspirim për çdo aksion të shijakasve në fazën sulmuese.

Sulmuesi mendon se tashmë skuadra e tij është në rrugën e duhur, për t’u ngjitur në Superiore. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Rraboshta tregon më tepër rreth kampionatit në këtë sezon me Erzenin, ecurisë personale, por edhe të ardhmes së tij.

“Jam ndjerë shumë mirë gjatë gjithë sezonit. Pavarësisht se, duhet të isha më me shumë gola, tani e rëndësishme, është të arrijmë objektivin Superiore. Shpresoj t’i fitojmë edhe dy ndeshjet e rradhës dhe ta sigurojmë matematikisht.

Synimi kryesor i imi, ka qenë të shënoja sa më shumë, në mënyrë, që të arrinim synimin si klub.
Më bindi trajneri Nevil Dede dhe drejtuesit e klubit, pasi i kishin idetë e qarta, që në fillim të bënin një ekip konkurrues për Superioren.

Shpresoj që, një herë ta arrijmë Superioren matematikisht. Unë kam edhe një vit kontratë me opsion rinovimi, me ekipin e Erzenit. Do flasim pas përfundimit të sezonit, edhe një herë me drejtuesit e ekipit”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi shkodran i Erzenit, Jasmin Rraboshta.
Maringlen ZHIVANI