“Në stadiumet ku mungon sistemi i ndriçimit nuk do të lejohen më të luhen ndeshje të Kategorisë Superiore”. Kështu u shpreh pak ditë më parë menaxheri i sektorit të licencimit në FSHF, Eduard Gjini.

Në kushtet kur UEFA ndryshon shpesh kriteret që duhet të plotësojnë klubet që marrin pjesë në Kupat e Europës, çdo vit që kalon e bën edhe më të vështirë kalimin e klasës nga skuadrat shqiptare që duan të jenë pjesë e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Konferencës.

Mirëpo, sezoni 2022-2023 do të nisë me një risi, të paktën siç ka njoftuar vetë FSHF-ja. Kjo i përket sistemit të ndriçimit në stadiume, që duhet të jetë një kusht i përmbushur për të 10-ta klubet që marrin pjesë në elitën e futbollit shqiptar. Mirëpo, nëse u hedh një sy ekipeve aktuale të Superiores, teksa kampionati po shkon drejt fundit, tri prej tyre ngelin në klasë. Laçi, Egnatia dhe Kastrioti nuk kanë sistem ndriçimi në impiantet ku luajnë aktualisht.

Madje, krutanët nuk kanë as stadiumin e tyre, pasi ndeshjet i zhvillojnë në fushën asnjanëse të Kamzës. Për sezonin e ri, gjithnjë nëse FSHF-ja nuk do të tolerojë këtë kriter për licencimin, atëherë këto klube janë të detyruara që të bëjnë investime shtesë në stadiume për sistemin e ndriçimit.

Por, në këtë mes ka edhe një autogol me atë pritet të ndodhë, pasi nga Kategoria e Parë drejt Superiores është ngjitur aktualisht Bylisi dhe me shumë mundësi edhe Erzeni. Mirëpo, edhe këto klube nuk kanë në impiantin e tyre sistem ndriçimi. Duke marrë të mirëqenë faktin nëse Dinamo dhe Skënderbeu bien nga Superiorja, atëherë gjysma e klubeve në kampionatin e sezonit të ri, praktikisht nuk plotësojnë kriterin për stadiumin.

Se çfarë do të ndodhë gjatë verës është një “bast” i rrezikshëm për t’u vendosur në këtë moment, pasi koha ka treguar se FSHF-ja ka mbyllur sytë për licencimin në shumë raste. Madje, institucioni i futbollit ka edhe një precedent negativ në të kaluarën, duke u dënuar nga UEFA për licencimin e parregullt që i bëri Tiranës në vitin 2017.

Me rregullat e reja licencimi i klubeve për në Europë njehsohet edhe për licencimin e 10 ekipeve pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore. Klubet duhet të kenë domosdoshmërisht ekipe femrash. Gjithashtu, janë të detyruara që të dorëzojnë brenda këtij muaji edhe deklaratat e të paktën 6 lojtarëve dhe trajnerëve që janë të paguar deri në atë moment dhe që nuk kanë asnjë detyrim të prapambetur.

LICENCIMET KRITERET E SHTUARA

1. Në kriterin sportiv, klubet për sezonin e ardhshëm (2022-2023) duhet të kenë patjetër gjashtë ekipe moshash. Gjithashtu, të gjitha klubet duhet të kenë edhe skuadrën e femrave. Është shtuar edhe kualifikimi i trajnerëve, pra për gjashtë skuadra, dy trajnerë duhet të kenë patjetër licencën UEFA A dhe 4 trajnerë të jenë me UEFA B.

2. Në kriterin e infrastrukturës është shtuar një kërkesë nga e shkuara. Në asnjë stadium ku nuk ka ndriçim, nuk do të lejohen të luhen ndeshje të Superiores. Gjithashtu, të gjitha ndeshjet e ekipeve shqiptare në Kupat e Europës nuk do të luhen më gjatë ditës.

3. Në kriterin e tretë, atë të administratës dhe personelit, janë shtuar dy oficerë. Çdo klub që do të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s, duhet të ketë një oficer për menaxhimin e ndeshjes dhe një oficer tjetër që do të merret me grupet vulnerabël. Gjithashtu, duhet të ketë një trajner për portierët për pjesën e akademisë.

4. Kriteri ligjor detyron klubet që kërkojnë të ndërrojnë formën juridike, të futen në një proces trevjeçar. Kësisoj, nëse kjo ndodh, e ndalon klubin të marrë pjesë për 3 vite në Kupat e Europës.

5. Çdo klub që merr licencën në prill, nuk duhet të ketë asnjë detyrim të prapambetur. Secili klub është i detyruar të sjellë 6 deklarata nga trajneri dhe lojtarët, që duhet të konfirmojnë se janë paguar.