Viti kalendarik për Abissnet Superioren mbyllet këtë mesjave me ndeshjet e javës së 15-të, që do të shtrihen në dy ditë, të mërkurën dhe të enjten.

Ky raund, para festave të fundvitit, e ngre siparin me ndeshjen Laçi – Kastrioti, të mërkurën, në orën 13:45. Ekipi kurbinas, me ecurinë më të mirë gjatë fazës së dytë, do të synojë fitoren e pestë radhazi, për të konsoliduar pozitat në grupin kryesues. Për krutanët, të fundit në renditje, po ngushtohet gjithnjë e më shumë laku sa i përket garës për mbijetesë.

Përballja e dytë e së mërkurës do të luhet në orë 16:45, mes Dinamos dhe Skënderbeut, dy skuadra me kuotë të barabartë pikësh, që synojnë t’i largohen sa më parë zonës play out.

Të enjten, java e 15-të ndizet me Vllaznia-Kukësi, që nis në orën 16:45, në “Loro Boriçi”, një përballje për mes dy skuadrave me objektiva madhorë e që ndahen nga vetëm tri pikë nga njëra-tjetra.

Në të njëjtën orë, Teuta do të përballet me Egnatian me synimin e qartë fitoren, për të lënë pas humbjen me Tiranën dhe për të mbajtur ende të gjalla shpresat për titullin, edhe pse duket shumë i vështirë rikuperimi i 12 pikëve nga kreu.

Java e 15-të kulmon në orën 19:45 me derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, një përballje ndoshta vendimtare për rrugën që do të marrë trofeu i kampionit. Nëse bardheblutë triumfojnë për herë të dytë në këtë sezon përballë rivalëve të përjetshëm, praktikisht të kuqtë do të ishin jashtë garës për titullin, por nëse ndodh e kundërta, skuadra e Dajës do të kishte të gjithë të drejtën të pretendonte triumfin përfundimtar në maj.