Java e 24-të e Superligës do startojë sot me derbin mes Tiranes dhe Partizanit. Një sfidë e ndjerë e futbollit tonë që do marrë start në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit.
Por ky raund i Superligës do jetë i shpërndarë në 3 ditë. Ku ditën e sotme luhet derbi e ndërsa kampionati do vijojë me javën e 24-të edhe ditën e hënë me tre sfida dhe po ashtu të martën me një duel.
Por kjo mund të jetë java ku Vllaznia mund të përfitojë për të ngjitur shkallë në tabelën e klasifikimit apo edhe për tu afruar shumë me dyshen kryesuese Tirana dhe Laçi. Kjo për shkak se vetë kuqeblutë kanë një ndeshje direkte me një kundërshtar si Kukësi me të cilin ndan vendin e 3-të dhe të 4-ët në kuotën e 38 pikëve. Në rast suksesi shkodranët do shkëputeshin me 3 pikë nga verilindorët.
Gjithashtu të besuarit e Brdariç mund të përfitojnë nga duelet e vështira që kanë Tirana dhe Laçi. Pikërisht bardheblutë sot kanë duelin me kundërshtarin e përjetshëm, Partizanin. Një ndeshje që patjetër garanton për “xixa”.
Po ashtu Laçi ditën e hënë do ketë një sfidë shumë të komplikuar ku do udhëtojnë në transfertën e Kastriotit. Java kompletohet edhe me duelet Egnatia vs Teuta dhe Skënderbeu vs Dinamo.
Ky mund të jetë patjetër një raund ku Vllaznia mund të përfitojë duke parë edhe ndeshjet e vështira të kundërshtarëve si Tirana dhe Laçi. Normalisht shkodranët duhet të jenë të përqendruar tek sfida e tyre fillimisht e të marrin maksimumin ndaj një kundërshtari aspak të lehtë siç është ekipi i Kukësit.
Endri ÇINARI