Java që u mbyll në futbollin jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë Europën ka qenë shumë pozitive për futbollistët shkodranë. Prodhimet “bio” të akademisë Vllaznia kanë shkëlqyer me skuadrat ku militojnë. Duke nisur nga Bekim Balaj tek Vllaznia, ku sulmuesi ishte vendimtar me dopietën e tij, në fitoren 2-0 ndaj Teutës.

Për të vijuar me një tjetër sulmues dhe ai është Rubin Hebaj. 25-vjeçari po shkëlqen në Uzbekistan me skuadrën e Andijan. Këtë javë ai nuk shënoi në fitoren 2-1 të skuadrës kuqeblu. Por performanca e tij e shkëlqyer bëri që në fund shtatlarti të cilësohej si njeriu i ndeshjes. Vendimtar për Shkëndijën në Maqedoninë e Veriut ishte edhe Erald Çinari.

Sulmuesi i krahut shënoi golin e vetëm të tetovarëve në fitoren 1-0 ndaj Makedonija GP. Sukses që i mban kuqezinjtë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit. AF Elbasanin në Kategorinë e Parë deri më tani po e udhëheq me mjaft sukeses dyshja shkodrane Edon Hasani dhe Abaz Karakaçi.

Edhe në fitoren e djeshme 3-2 ndaj Apolonisë, Karakaçi ishte protagonist me një gol e ndërsa Hasani dhuroi asistin për golin e fitores. Ashtu siç shënoi dje një tjetër ish- futbollist i Vllaznisë, Denis Pjeshka duke ndihmuar Flamurtarin në fitoren 2-1 ndaj Vorës.

Një tjetër shkodran që gjeti golin në këtë javë ishte edhe Sebastian Spahiu, në fitoren që Egnatia arriti në shifrat 2-1 ndaj Laçit. Por mesfushori nuk është një prodhim i akademisë Vllaznia, duke qenë se është rritur futbollistikisht në Belgjikë.
Endri ÇINARI