Ekipet e Atletik Klub për moshat U-14 dhe U-15 kanë pësuar dy humbje në kampionatin e Kategorisë së Parë këtë javë. Në kuadrin e ndeshjeve të javës së 10-të, këto ekipe kanë udhëtuar me U-14 drejt Vorës për t’u ndeshur me ekipin vendas dhe me U-15 drejt Lushnjës për t’u përballur po me ekipin vendas.
Sa i takon ndeshjes së 15-vjeçarëve, vendasit e Lushnjës kanë fituar me rezultatin e thellë 4-1 ndaj ekipit shkodran të drejtuar nga trajneri Saimir Kaloshi. Dy gola të ndeshjes janë shënuar që në pjesën e parë dhe dy të tjerë në të dytën. Ndërkohë, Atletik Klub U-15 ka arritur të shënojë golin e nderit me anë të Vuksanit në pjesën e dytë.
Deri në fund të ndeshjes, nuk do të kishte më histori dhe gjithçka është mbyllur me fitoren 4-1 të Lushnjës. Pas kësaj humbjeje, Atletik Klub U-15 renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 13-pikëve në nëntë ndeshje të luajtura deri më tani.
Ndërkohë, sa i takon ndeshjes së 14-vjeçarëve, edhe këtu Atletik Klub ka humbur përballjen ndaj Vorës me rezultatin e thellë 8-0. Në fakt, duhet theksuar se ekipi shkodran nuk e nisi mirë, duke pësuar shumë shpejt katër gola njëri pas tjetrit.
Në pjesën e dytë, Vora do të shënonte edhe katër gola të tjerë, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin e thellë 8-0. Pas kësaj humbjeje, Atletik Klub U-14 renditet në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm katër pikëve, në nëntë ndeshje të luajtura deri më tani.
Megjithatë, pavarësisht humbjeve të djeshme, në ndeshjet e ardhshme me shumë siguri, ekipet e Atletik Klub do të dalin tek rezultatet pozitive, sepse përgatitjet e bëra japin garanci për një gjë të tillë. /Maringlen ZHIVANI/
U-14: Vora-Atletik Klub 8-0
Formacioni i Atletik Klub U-14: Marlaska, Guri, Gjergji, Nuha, Bashaj, Ymeraj, Kastrati, Hebovija, Krasniqi, Syla, Qytetaj Tr: Eder Zmijani
U-15: Lushnja-Atletik Klub 4-1
Goli për Atletik Klub U-15: Vuksani 66’
Formacioni i Atletik Klub U-15: Lumçi, Abazi, Livalli, Plori, Bushati, Luka, Hasanaj, Vuksani, Papaj, Kallajxhiu, Ademi (u aktivizua; Dajani) Tr: Saimir Kaloshi