Për Vllazninë, është “count down”-i final për Europën. Dinamo këtë të enjte në “Elbasan Arena” dhe pastaj sfida me Kukësin në “Loro Boriçi”. Këtë të enjte skuadra e Elvis Plorit, me një fitore ndaj Dinamos, mund të parakalojë verilindorët, duke marrë vendin e katërt që ju siguron pjesëmarrjen në kompeticionet kontinentale dhe pastaj në sfidën direkte me favorin e faktorit “Loro Borici” mund të sigurojë objektivin sezonal në kampionat.

Megjithatë pa shkuar aq larg, së pari duhet fituar me Dinamon. Mungesë vendimtare ajo e Liridon Latifit, lider i skuadrës që është dëmtuar ndaj Skënderbeut dhe do të mungojë në sfidën me blutë, por për një skuadër të ndërtuar me objektiva madhorë, nuk ka alibi, ndaj Dinamos vlen vetëm fitorja.

Pozitiv fakti që formacioni shkodran gjeti suksesin e parë nën drejtimin e Plorit ndaj Skënderbeut dhe shkon në këtë përballje me frymën e duhur. Në “Elbasan Arena” e pret një Dinamo në krizë të plotë dhe pothuajse e dorëzuar në luftën për mbijetesë.

“Nëndetësja ka humbur në ujëra të rrezikshme” dhe kapiteni Vanoli deri më tani nuk ka mundur të sigurojë qoftë edhe 1 barazim, 7 humbje radhazi janë vula e një dështimi spektakolar për një skuadër të ndërtuar me investime të rëndësishme dhe që e niste sezonin për objektiva të mëdhenj.

Deklaratat e vetë italianit pas humbjes me Partizanin, ku akuzoi për mungesë cilësie ne skuadër, duke u projektuar te një e ardhme në Kategorinë e Parë, tingëllojnë si nota dorëzimi dhe mbetet për t’u parë nëse Dinamo do të gjejë forcën për t’iu kundërvënë një Vllaznie që është para një hapi vendimtar në kërkim të një vere europiane.