Laçi fitoi dje 2-1 me Gjilanin në miqësoren e zhvilluar në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Skuadra e Shpëtim Duros është në përgatitje të turit të parë të Conference League, me Iskrën e Malit të Zi që janë kundërshtarët e kurbinasve.

Mes shumë largimeve këtë merkato, te Laçi s’kanë munguar emrat e rinj në ekip. Dje Duro hodhi në fushë nigerianin Michael Babatunde, me 29 vjeçarin që luan në krahët e sulmit dhe pas sulmuesve.

Pjesë e disa klubeve ukrainase deri në 2017, Babatunde ka luajtur edhe me Raja Casablanca apo Qatar FC e Wydad.

Në sezonin e fundit sulmuesi ka qenë pa ekip, teksa bie në sy se ka luajtur në 11 ndeshje me Nigerinë, edhe në Kupën e Botës 2014, ku ka dhënë një asist në humbjen 2-3 kundër Argjentinës së Messit në Brazil.