Guri, Guri, Guri… Padyshim që sulmuesi shkodran është shndërruar në protagonist ditët e fundit në futbollin belg pas kalimit të tij nga Kukësit tek ekipi Ostende. Ai po paraqet një formë shumë të mirë në ndeshjet miqësore që po zhvillohen dhe për rrjedhojë ka shënuar edhe disa gola.

Ato pritet të jenë prezent prej tij edhe në ndeshjet zyrtare të kampionatit belg. Por ndërkohë nuk do të jetë vetëm Guri pjesë e Superligës belge në sezonin e ri. Pjesë e saj do të jetë edhe shkodrani tjetër Sebastian Spahiu (Shpuza).

Lojtari i kombëtares U-21 të Shqipërisë do të jetë pjesë e 25-shes së ekipit Mouscron edhe në sezonin e ri. Kjo duket qartë në foton zyrtare që klubi në fjalë ka bërë në prag të nisjes së sezonit.

Në sezonin e kaluar ka luajtur gjashtë ndeshje, nga të cilat dy si titullar. Në këto takime ai ka dhënë tre asiste dhe ka shënuar një gol. Jo keq padyshim për një futbollist që në fund të tetorit mbush 19 vjeç.

Spahiu (Shpuza) ka luajtur edhe sot në ndeshjen miqësore që Mouscron ka zhvilluar ndaj Genk. Ai është futur në fushë në minutën e 60-të duke zëvendësuar lojtarin e kombëtares kosovare Mërgim Vojvoda.

Në këtë mënyrë, sportdashësit shkodranë do të jenë jo pak të interesuar në sezonin e ri për të ndjekur edhe kampionatin belg për shkak të aktivizimit aty të dy shkodranëve, Sindrit Guri dhe Sebastian Spahiu.
© shkodrasport.com