Juventusi duket se nuk do të jetë i vetmi klub që mori dënim shembullor për shkak të deklarimeve të rreme të financave. Drejt të njëjtit fat po shkon edhe Manchester City. Premier League ka hapur hetim për financat e “qytetarëve” përgjatë dekadës së fundit.
Në rast se shpallen fajtorë, atëherë mund të kemi dënime duke nisur që nga gjoba e majme, e deri të heqja e pikëve ose përjashtimi nga Premier League.
Drejtuesit e klubit anglez kanë vendosur të punësojnë Lord Pannick KC për t’u mbrojtur në gjyq. Një emër i njohur, pasi ishte pikërisht një nga avokatët e ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson-it, gjatë hetimit të “Partygate”.
Por kjo lëvizje e Manchester City-t vjen me një kosto mjaft të lartë ekonomike. “The Sun Sports“ raporton se avokati ka kërkuar plot 400 mijë paund në javë për të qenë përfaqësuesi i tyre ligjor. Një shifër që është e njëjtë me pagën e Kevin De Bruyne-s.