Fjoart Jonuzi, mesfushori kuksian i Vllaznisë, është i mendimit se ekipi i tij do të kërkojë më të mirën ndaj Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai theksoi se kjo ndeshje nuk duhet që të merret si finale kur me një humbje mund të hiqet dorë nga objektivi titull, por si një takim i radhës nga i cili pritet që të merret maksimumi.

Mesfushori shpreson dhe beson se Vllaznia do ta nisë me këmbë të mbarë këtë vit kalendarik. Ndërsa beson shumë se edhe pa ndërhyrje në merkato, kuqeblutë do të jenë të zotë për të qenë konkurrues në të dyja kompeticionet.

Si duket gjendja e Jonuzit dhe lojtarëve të tjerë pas atyre problematikave që kishin në këto ditë të para të vitit?

Edhe unë, edhe çunat e tjerë kanë pasur probleme të vogla muskulore, por mendoj që edhe ata do të jenë gati për këtë sfidë, për të dhënë të gjithë më të mirën e tyre.

A është gati Vllaznia për ndeshjen me Tiranën?

Po, besoj se jemi gati. Kemi edhe këto ditë për t’u përgatitur me detajet edhe besojmë të gjithë se do të japim një paraqitje shumë të mirë.

Duke parë diferencën që keni me Tiranën, duket sikur jeni të dënuar për të fituar?

Po, është e vërtetë, por nuk duhet parë kjo ndeshje në këtë këndvështrim, sepse kjo ndeshje do edhe qetësinë e vet, duhet menduar njëherë për mënyrën si do të luajmë edhe në qoftë se do ta shohim si një ndeshje për 3 pikë të rëndësishme atëherë do të ishte më e lehtë për ne.

Një barazim mund të quhet një rezultat pozitiv?

Ne do të futemi për 3 pikë po normalisht edhe barazimi nuk do të quhej rezultat negativ, por fitorja do të ishte më e mira për ne, duke parë edhe pozicionin në tabelë.

Si e parashikoni këtë pjesë të dytë të sezonit, sa skuadra shikoni për titull?

E parashikoj shumë të fortë sepse jemi disa skuadra në garë, pavarësisht pikëve. Besoj se të gjitha ekipet do të jenë ndryshe në këtë pjesë të kampionatit. Do të mobilizohen më shumë dhe kjo do ta bëjë më të fortë kampionatin.

A mendoni se ka nevojë për përforcime ekipi?

Mendoj që nuk ka sepse kemi qenë një ndër ekipet që kemi pas kontigjent lojtarësh më të mirë edhe s’mund të them që kemi pasur nevojë për sportistë. Kjo është parë edhe në ndeshjet që kur ka munguar njëri prej nesh është zëvendësuar pa lënë gjë mangët. Thjesht humbja e disa pikëve që kemi pasur mundësi për më mirë na ka penalizuar.

Me këtë kontingjent, i ka forcat Vllaznia të jetë pretendente për titull e Kupë?

Po, i ka. Ne e kemi treguar që jemi ekip me cilësi. Thjesht duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke mos nënvlerësuar deri në fund edhe duke vlerësuar në maksimum çdo kundërshtar. Vetëm kështu do të ecim përpara.

Në rastin më të keq nëse humbet përballja me Tiranën, mund të thuhet se Vllaznia ka hequr dorë nga titulli dhe do të luftojë vetëm për një përfaqësim në Europë?

Jo, nuk besoj sepse ka akoma shumë ndeshje përpara. Edhe vjet për ne thoshin që ka mbaruar kampionati, por na ndodhi ndryshe. Duke parë se këtë vit kampionati është akoma edhe më i fortë, për mendimin tim, diskutimi për titull do të shkojë deri në ndeshjen e fundit ashtu sikur vjet.