Vllaznia ka filluar prej 15-qershorit përgatitjet për ndeshjet europiane dhe për sezonin e ri futbollistik, 2022-2023. Kuqeblutë nën drejtimin e Mirel Josës kanë ndryshuar pamje nga sezoni i fundit. Kjo për shkak se tentohet rikthimi te titulli, pas dështimit edicionin e shkuar.

Me kalimin e ditëve, skuadra e Vllaznisë po vijon dozën e ngarkesave në përgatitje, pasi është punuar pa top me ushtrime fizike, por edhe me anën tekniko-taktike. Ana fizike duket të jetë shumë thelbësore për trajnerin Josa, i cili kërkon që në ndeshjet e Conference League, të jenë të gatshëm në këtë aspekt dhe skuadra të mos çalojë të paktën nga kjo anë.

Faza e përgatitjeve në Austri i ka shërbyer të gjithë skuadrës për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, pasi pak futbollistë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Josa ka tentuar manovra të ndryshme gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar brenda grupit, duke shpresuar që të gjejë edhe atë ekuilibrin ideal në skuadër.

Në fakt, dilemat e tij te kjo Vllazni nuk janë të shumta sa u përket titullarëve që ka projektuar për në fushë, teksa edhe alternativat nuk i mungojnë. Për momentin, është duke qartësuar edhe modulin, me të cilin do të prezantohet ndeshjet europiane, në mënyrë që të hedhë në fushë edhe futbollistët që mund t’i shërbejnë më mirë.

Trajneri Josa është në mëdyshje sa i përket një skeme 4-3-3 apo 4-2-3-1, duke parë edhe karakteristikat e futbollistëve që ka në dispozicion te Vllaznia. Gjatë përgatitjeve të fundit, janë provuar të dyja modulet, por është ende herët për të dalë në konkluzion. Nga ana tjetër, duket se e gjithë loja do të bazohet te këmbet e Boshnjakut dhe Jonuzit, të cilët do të kenë detyrën që të shtyjnë skuadrën përpara dhe të nisin aksionet sulmuese për të shënuar.
Maringlen ZHIVANI