Vllaznia ka mbyllur mesditën e djeshme përgatitjet anti-Egnatia dhe po dje është grumbulluar në një nga resortet e qytetit të Shkodrës, ku ka kaluar edhe natën e mbrëmshme në pritje të ndeshjes së sotme të javës së 13-të të Abissnet Superiore, sfidë e cila luhet në “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:30.

Mungesat e dy qendërmbrojtësve, Marko Juriç dhe Darko Bulatoviç, për arsye dëmtimi, kanë detyruar trajnerin Mirel Josa ta spostojë nga e djathta e prapavijës në qendër kapitenin Gurishta, teksa poashtu një vend tjetër tekniku kryeqytetas pritet t’ia besojë edhe Shehit, ashtu siç ndodhi edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Tiranës.

Ndërkohë, sa i përket krahut të djathtë të prapavijës, aty do të luajë mesfushori Arsid Kruja, i cili sa herë ekipi ka nevojë për të luajtur dikush në atë krah, ai vendoset në atë pozicion. Ashtu siç “Shkodra Sport” bëri me dije një ditë më parë, pjesa tjetër e formacionit mendohet të jetë me Hakajn në të majtë të mbrojtjes.

Në mesfushë do të jenë Jonuzi, Boshnjaku dhe Alivoda. Ndërkohë, në sulm nga krahët do të jenë Mala dhe Marku, teksa maja e këtij reparti do të përbëhet nga Hoxhaj.

Nga ana tjetër, edhe pse është rikuperuar, madje edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Tiranës shënoi nga penalltia, Latifi nuk do ta nisë nga minuta e parë, por me shumë mundësi do të hidhet në fushë nga trajneri Josa në momentin që skuadra do të ketë nevojë për të.

Ndeshja-Vllaznia-Egnatia do të luhet ditën e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:30 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI