Vllaznia do të luajë ndaj Partizanit ditën e premte në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:45. Shkodranët kanë vijuar përgatitjet në kompleksin “Hasaj” në Golem, aty ku po u japin edhe dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen ndaj të kuqve.
Megjithatë, për këtë përballje ka akoma dilema sa i takon 11-shes startuese. Dilema e madhe e Josës është qendra e sulmit. Ai ka akoma mëdyshjet e tij nëse do të luajë me Ardit Hoxhajn si pykë, edhe pse vlonjati nuk është një qendërsulmues i mirëfilltë apo të rikthejë titullar njërin mes Kainës apo Aralicës.
Ashtu siç “Shkodra Sport” e ka paralajmëruar edhe një artikull tjetër së fundmi, gjasat janë që braziliani të luajë nga minuta e parë ndaj Partizanit dhe Hoxhaj të spostohet në krahun e majtë të sulmit.
Në krahun e djathtë, duket i sigurtë Esat Mala, por për një vend në këtë repart është kandidat edhe Arsid Kruja. Nëse Josa do të luajë me Hoxhajn në majë, atëherë Kruja nga e djathta dhe Mala nga e majta do të jenë sulmuesit e krahut.
Vllaznia do t’u japë fund ditën e nesërme përgatitjeve për ndeshjen ndaj Partizanit, teksa në rast fitoreje, shkodranët do i parakalonin në tabelën e renditjes “demat e kuq”.
Maringlen ZHIVANI