Vllaznia do të ndeshet ditën e nesërme në stadiumin e Kamzës me Kastriotin, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores, në orën 13:00. Në konferencën përpara sfidës, trajneri i shkodranëve, Mirel Josa, foli për gjendjen e ekipit dhe gjithashtu për interesimin nga klubet kosovare për të siç flitet së fundmi.

“Nuk mund të them që i kemi pasur kundra, sepse ishim të detyruar, ashtu siç ishin të detyruar të gjithë shtetet e tjera që luajnë futboll për këtë ndërprerje. Ne kemi për detyrë që t’i ambientohemi organizimit të kampionatit. Nuk dua të dal në analizë të dy ndeshjeve. Të dyja kanë pasur natyra komplet të ndryshme me njëra-tjetrën. Sidomos ndeshja me Tiranën dhe ndeshja me Egnatian. Më intereson shumë problemi se si do të zhvillohet ndeshja e nesërme, duke pasur parasysh morali i skuadrës, duke pasur parasysh impenjimin e tyre.

Them kështu sepse janë ndeshje kampionati dhe pa kthim mbrapa. Kjo është gjëja më e rëndësishme që na intereson ne. Pavarësisht rezultatit të keq, negativ që morëm me Egnatian, që për mua ishte ndeshje me dy fytyra. Me probleme e mbaruam kampionatin dhe me probleme po e fillojmë. Kur them me probleme e kam fjalën për ata lojtarë që nuk na u rikuperuan në kohën e duhur. Kujtuam që do të kishim dhe Latifin në gjendje për vazhdimësi dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Me ekipin është punuar. Që të punohet për ngritjen e moralit të një skuadre duhet të jemi të gjithë bashkë. Duhet të jemi duke filluar që nga drejtuesit e skuadrës, duke filluar që nga drejtuesit teknik të skuadrës, duke filluar që nga lojtarët.

Në radhë të parë i uroj suksese Ardit (Ardian Mema) në këtë rifillim të vonshëm të tij. e kam dhe mik. E kam dhe shok. E kam pasur bashkëlojtar. Ardi ka nisur futbollin, ka ardhur në skuadrën e parë kur ne filluam të iknim nga skuadra. Kam respekt të veçantë për të dhe për të ndjerin, të atin e vet. I uroj suksese për vazhdimësinë. Ardi e ka treguar veten edhe me Tiranën që edhe kur ka qenë trajneri i Tiranës, ka treguar që është i aftë për këtë punë.

Dje bëmë një analizë dhe duhet të them që duhet të kemi më shumë personalitet në fushë. Unë nuk llogaris vetëm lojtarët të cilët fillojnë ndeshje. Llogaris dhe ata që futen në fushë. Nuk dua të kapem te momenti i penalltisë, sepse tani mund të flisnim edhe ndryshe. Kam këtë kontingjent lojtarësh këto momente dhe mund të them që ata me njëri-tjetrin janë të lidhur mirë për sa i përket anës morale të tyre. Këta dinë si ta ngrenë anën morale të skuadrës dhe më takon mua pastaj që të vendos për lojtarët që të kem në gjendjen më të mirë fizike për të luajtur.

Unë nuk shkoj me llogari afatgjata. Klubi ka disa objektiva. Ne nuk duhet të shkojmë duke parë shumë larg, sepse në futbollin shqiptar, jo vetëm Vllaznia, janë shumë gjëra që ndryshojnë nga java në javë. Duhet të fokusohemi patjetër te ndeshja me Kastriotin.

Objektivat e klubit janë të jemi në vend të parë të klasifikimit dhe të vazhdojmë dhe për Kupën. Prandaj thashë që çdo ndeshje na sjell problematikën e vetë, sepse ne nëse do të kishim kapur një rezultat më të mirë me Egnatian, tani do të flisnim ndryshe. Gjë që nuk duhet ta bëjmë.

Do të jetë një ndeshje e hapur. Një ndeshje e luftuar. Duke pasur parasysh dhe momentet në këtë kohë të keqe, që po kalon e gjithë Shqipëria, duhet të kemi shumë parasysh, që mos të kujtojmë që do bëhen të gjitha ndeshjet me të njëjtën natyrë. Kushte të tjera këtu, kushte të tjera atje. Ndeshja do të jetë shumë e fortë, shumë e luftuar. Duhet të kemi parasysh që gabimet që bëmë me Egnatian, atje nuk duhet t’i bëjmë fare. Është thikë me dy presa”, u shpreh Josa.