Mirel Josa është i ndërgjegjshëm që Vllaznia e tij ka punë për të bërë në këtë sezon. Pas humbjes në javën e parë kundër Erzenit, trajneri i kuqebluve deklaroi për “Oversport” se nuk ishte i kënaqur nga shumë gjëra nga loja e skuadrës së tij dhe se merkato nuk e korrigjonte dot këtë situatë.

“Rezultati ishte që humbëm ndeshjen. Kur dy skuadrat janë përballë njëra tjetrës dhe fiton njëra, do të thotë që Erzeni ka bërë punë më mirë se ne. Nuk mund ta them se ishte nënvlerësim i skuadrës, Erzeni ishte vendosur në fushë sidomos në dyluftime, ata dolën shumë herë të parët, edhe pse ne ishim me tre mesfushorë. Ata i fituan dhe bënë rinisjet për në sulm. U pësua goli, më vjen keq që u pësua në atë mënyrë, ishte goditje e mirë e atij që e shënoi. por përveç defekteve që ne kishim, ne nuk ditëm të reagojmë, luajtëm shumë ngadalë në ndërtimin e aksioneve dhe shumë në zona të cekta të kundërshtarit. Ky ishte problemi, nuk mund të fitohen ndeshjet pa krijuar.

Nuk mund të them tani që merkato me 1-2 lojtarë do na rregullojë. Problemi është që me këtë gjendje që ne kemi, e stërvitshmëri që kemi, sot nuk më pëlqeu as egoja e skuadrës time. Merkato është diçka tjetër nëse mund të vijë diçka shumë e mirë në këto momente, mund të merret.

Kur je në disavantazh të një goli dhe skuadra tjetër mundohet të mbrojë me të gjitha forcat, normalisht ti do të futësh forca më sulmuese. Lojtarët ishin statik, të tre ata në sulm, futëm një lojtar në të dytën që mund të sillte zhdërvjelltësi para zonës kundërshtare, që mund të krijonte diçka se është teknikisht mirë. Por duhet të ngulmojmë më tepër të vertikalizojmë, me lëvizjet e lojtarëve tonë përpara.

Objektivat e Vllaznisë dihen. E kam thënë që nuk dilet kampion që në fillim të kampionatit, po flitet shumë për mënyrën se si skuadra të dalë kampione, etj. Por problemi është që kur ndodh që në fillim, pa nënvlerësuar Erzenin që luftoi me shpirt dhe e dha shpirtin në fushën e lojës, kur ndodh në fillim duhet të jemi me këmbë në tokë. Ndeshjet vështirësohen, skuadrat rritin nivelin, ne do të punojmë të arrijmë nivelin tonë individualisht e kolektivisht. Në pjesën e parë, kemi bërë shumë gabime individuale që fitonte topin Erzeni dhe na sillte pështjellim në ekuilibrat mbrapa.

Bulatoviç e Aralica janë pjesë e skuadrës. Aralica ka lëvizshshmëri të mirë, por në momentin që ka dy javë që nuk merr pjesë në stërvitje, ndaj ke vështirësi të bazohesh te ky lojtar. Bulatoviç ka një hematomë, kështu që normalisht që presim shumë këta lojtarë, në momentin që i kam besuar e i kam mbajtur në skuadër”.