Me Vllazninë në vite kanë luajtur shumë joshkodranë. Disa prej tyre kanë lënë gjurmë me aktivizimin dhe ndeshjet e mira që kanë zhvilluar, ashtu siç ka patur edhe shumë të tjerë që janë larguar pa as më të vogël përshtypje sepse nuk kanë bërë asgjë të mirë për këtë skuadër.

Sot do të ndalemi tek një portier që ka luajtur vetëm një sezon në Shkodër, por ende edhe sot pas 21 vitesh gati, pëmendet për mirë nga tifozët kuqeblu. E kemi fjalën për portierin lezhjan Julian Gjeloshi i cili ka lindur në Lezhë më 1 prill 1975. Në verën e vitit 1998, vetëm pak muaj pasi Vllaznia u shpall kampion, portieri i saj në atë kohë, i mirënjohuri Armir Grima, mori një ofertë nga një skuadër greke dhe u largua.

Në këto kushte, trajneri Vasil Bici që drejtonte ekipin shkodran në atë sezon, i propozoi ish- presidentit Myftar Çela një portier që ai e njihte mirë ngaqë e kishte stërvitur tek Besëlidhja, pikërisht Gjeloshin, Madje përveç tij edhe mesfushorin me tipare sulmuese Leonard Perloshi. Të dy ata u veshën kuqeblu dhe lanë përshtypje shumë të mira.

Gjeloshi kishte luajtur përveç Besëlidhjes edhe me Flamurtarin dhe Partizanin, para se Vllaznia t’i bënte ofertë. Sot ai jeton në Greqi ku është vendosur bashkë me familjen e tij prej shumë vitesh dhe vijon të merret me futboll, por këtë herë si trajner.

Ish- portieri i njohur pranon me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” dhe t’i kujtojë me emocion të madh ato muaj të kaluar në Shkodër, të cilët i vlerëson maksimalisht teksa thotë se pikërisht sezoni i kaluar me Vllazninë, është më emocionuesi për karrierën e tij sportive.

“Kur u ula të bisedoja me ish- presidentin Myftar Çela sigurisht që nuk mund t’i thoja “jo” ofertës për të luajtur me Vllazninë, skuadrën që kisha ëndërruar gjithmonë që të vishja një ditë fanellën e saj. Unë vërtetë deri në ato momente kisha luajtur me Besëlidhjen, Flamurtarin e Partizanin, por Vllaznia ishte tjetër gjë për mua”- thotë në fillim të rrëfimit të tij ish-portieri i kuqebluve- thotë në fillim të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” Juli.

Luajti vetëm një sezon me Vllazninë, pikërisht atë 1998-99 kur trajner ishte lezhjani tjetër Vasil Bici dhe kur pjesë e skuadrës ishte edhe një tjetër lojtar nga qyteti fqinj, Leonard Perloshi. Në atë sezon, Vllaznia konkurroi me Tiranën deri në javën e fundit të kampionatit, por në fund nuk arriti dot të shpallej kampion. Ashtu siç dhe humbi Kupën e Republikës në finale po ndaj Tiranës.

Duke folur në lidhje me këtë sezon të kaluar me Vllazninë, Gjeloshi shprehet: “Më vjen keq që kam luajtur vetëm një vit në Shkodër, por ai vit vlen sa e gjithë karriera ime. Nuk do ta harroj kurrë. Falenderoj Zotin që gjithçka më shkoi mirë, mora shumë duartrokitje dhe jetova një vit të mrekullueshëm.

Vërtetë nuk fituam asnjë trofe atë sezon sepse i humbëm të dy, si kampionatin ashtu edhe Kupën në ndeshjet e fundit, por gjithsesi, në jetë nuk jetohet vetëm për trofe. Unë kam fituar Shkodrën dhe shkodranët që kanë mbetur ende në mendjen time dhe kjo besoj se vlen shumë më tepër”.

Që prej atij momenti kanë kaluar plot 21 vjet, por portieri i njohur i atyre viteve, ka edne se çfarë të kujtoj, madje flet me shumë nostalgji e për këtë shton këto fjalë prononcimin e tij për “Shkodra Sport” kur deklaron: “Ka qenë një sezon i shkëlqyer. Kemi patur një ekip të mirë dhe kuptohet që interesi i tifozëve ka qenë i jashtëzakonshëm.

Në seancat stërvitore që zhvillonim në kompleksin “Zmijani” kishim çdo ditë 1000-1500 tifozë, llogarit pastaj se çfarë bëhej në ndeshje. Prandaj e thashë se nuk mund ta harroj kurrsesi atë sezon të kaluar me Vllazninë sepse aty jam ndjerë vërtetë futbollist në kuptimin e plotë të fjalës”

I pyetur se çfarë tjetër kishte të veçantë Vllaznia e atij sezoni përveç tifozëve të mrekullueshëm, Julian Gjeloshi përgjigjet: “E veçanta e Vllaznisë së atij sezoni ka qenë se kishte një grup të mrekullueshëm lojtarësh, shokë shumë të mirë brenda dhe jashtë fushës dhe jo më kot, unë ruaj kontaktet me të gjithë ato edhe sot e kësaj dite.

Më erdhi keq që në verën e vitit 1999 u largova nga Vllaznia sepse u vendosa në Angli, por pas kthimit prej atje, sërish kam qenë në 2-3 momente pranë rikthimit sërish në Shkodër, por për arsye nga më të ndryshmet, kjo nuk u realizua. Megjithatë, e përsëri, ai vit që luajta me Vllazninë, më ka mjaftuar për të kuptuar kuptimin e vërtetë të fjalës futbollist”.
Gjergj KOLA