Redi Jupi, ish-futbollist i përfaqësueses e drejtor i ekipeve kombëtare në FSHF, ka diskutuar çështjen e përjashtimit të Thomas Strakoshës nga trajneri Kristian Panuçi. Në “Procesi Sportiv”, ai ka argumentuar se trajneri aktual i kuqezinjve kishte shumë pak ide mbi atë që duhej të bënte në drejtimin e përfaqësueses.

“Ai është i rëndësishëm se është titullar, se është e tashmja dhe e ardhmja e portës. Vendim i drejtë por i marrë nga një person i gabuar. Disiplina është një nga mjetet, e rëndësishme për të rregulluar marrëdhëniet në ekip. Nuk është e lehtë të menaxhosh, ka edhe disa elementë të tjerë që i bashkohen për të krijuar një skuadër. Në rastin në fjalë, nuk është një person problematik.

Pjesa e diskutimit të Panuçit për ndryshimin e stilit është kot, kemi shpenzuar gati dy vite me trajnerin dhe jemi në pikë fillim. Nëse mbas dy vitesh e pamë që gjërat nuk ishin mirë po na kanë vlejtur për një rrugëtim të ri, është e drejtë.

Por ky nuk ka rinisur një rrugëtim të ri, nuk ka një logjikë pune për zgjedhje, për kompozimin e ekipit dhe nga kjo vijnë gabime të tjera. Është e vërtetë që ne pas 2016 kemi probleme. Por kemi bërë një eliminatore në vend të dytë e një tjetër në vend të tretë. Nuk mund të bëjmë një tjetër tani e të themi se dalim të katërt. Nuk ka logjikë.

Ai thotë të rrimë me këmbë në tokë, por të jetë i sigurt se njerëzit nuk presin shumë nga trajneri e stafi. Njerëzit janë shqetësuar që skuadra nuk është në rrugën e duhur. Trajneri nuk ka një ide të qartë për atë që do të bëjë”, tha Jupi. /vipsport/