Juventusi është futur në garë për të siguruar shërbimet e Kylian Mbappes.

Ylli i PSG-së mund të largohet nga kryeqyteti francez në kërkim të një eksperience tjetër me Reali-n, City-n dhe Liverpool-in që e duan. Don Balon shkruan së fundmi se italianët janë gati t’i sfidojnë të gjithë për të arritur te kampioni i botës.

Zonja e Vjetër kërkon me ngulm sukseset në Europë dhe sigurimi i shërbimeve të Mbappesë mund të ndihmojë shumë në këtë pikë. Sulmuesi francez mund të tundohet nga ideja për të luajtur me idhullin e tij Cristiano Ronaldo.

Portugezi mund të luajë rolin e tij dhe drejtuesit mendohet se do ta përdorin për të bindur kampionin e botës. Juventusi mund të sforcohet shumë ekonomikisht për të arritur te lojtari, por është një investim i rëndësishëm për të ardhmen.

Kampionët e Italisë kanë luftë të ashpër, pasi Reali po flirton prej kohësh me të riun. Manchester City dhe Liverpooli janë dy kundërshtarë të fortë dhe të fuqishëm ekonomikë. PSG po mundohet të bindë lojtarin të rinovojë. E ardhmja e Mbappesë është e mbuluar me shumë dritë-hije.