Kristo Shehu nuk ka vendosur ende se me cilën përfaqësuese do të vazhdojë karrierën e tij, nëse me Shqipërinë apo me Greqinë. Por sic bëjnë të ditur mediat helene, sulmuesi i talentuar i cili është pjesë e Panathinaikos, për momentin ka refuzuar një ftesë nga kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e nëntori ndaj Andorrës dhe Francës.

“Novasports” në Greqi ka publikuar një artikull ku shpjegon se futbollisti i cili aktualisht luan me përfaqësuesen U19 të Greqisë por ka luajtur më parë me atë U17 kuqezi, ka lënë gjithçka të hapur për të ardhmen e tij, siç e konfirmoi pak kohë më parë edhe vetë në një intervistë.

Me sa duket, ai ka rënë kohët e fundit në radarët e stafit teknik të kombëtares shqiptare. Të njëjtat burime tregojnë se Edi Reja kishte parë disa ndeshje të futbollistit me ekipin e të rinjve të Panathinaikos dhe ishte i interesuar për ta afruar në radhët e kuqezinjve edhe pse nuk luan me skuadrën e parë të klubit grek.

Për këtë arsye, një ndërmjetës i FSHF kishte kontaktuar me lojtarin duke kërkuar të dinte gatishmërinë e tij për t’u grumbulluar për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës. Por Shehu, edhe pse nuk i ka mbyllur dyert përfundimisht Shqipërisë, ka deklaruar se për momentin preferon të përqendrohet te karriera e tij në klub e si rrjedhojë e kishte refuzuar këtë radhë ftesën për t’u veshur kuqezi. /vipsport/