Basketbollistët e Vllaznisë kanë pësuar mbrëmë humbjen e parë në kampionat teksa janë mundur në Durrës nga Teuta, e cila i ka marrë tashmë edhe kreun e renditjes.

Nëse në dy periodat e para kuqeblutë rivalizuan me dinjitet dhe madje shkuan në pushimin e ndeshjes duke qenë në avantazh, nuk ka ndodhur kështu në dy periodat tjera ku ndër shkaqet kryesorë që çuan në humbjen e takimit ka qenë edhe nervozismi i theksuar i lojtarëve shkodranë ndaj arbitrave.

Këta të fundit kanë gabuar me disa vendime që kanë dhënë megjithatë edhe sjellja e basketbollistëve të Vllaznisë ka lënë për të dëshiruar.
Aq sa edhe vetë sekretari i shoqatës së basketbollit Vllaznia Blendi Dibra, e ka quajtur të pajustifikuar një sjellje të tillë. Me një postim në profilin e tij në rrjetet sociale, ai shkruan:

“Teuta- Vllaznia 75-69, një takim ndërmjet rivalësh ku detajet bëjnë diferencën. Pamarësisht objektivitetit të vendimeve të treshes së gjykimit, nuk justifikohet mënyra e kontestimit të tyre nga lojtarët kuqeblu. Bravo Teuta, bravo publiku i mrekullueshem durrsak për atmosferën e bukur sportive!”- shkruan Dibra.
© shkodrasport.com