Presioni po rritet mbi Igor Tudor te Juventusi, pasi skuadra e Serie A e pa serinë pa fitore të zgjatet në gjashtë ndeshje në të gjitha kompeticionet, pas humbjes 2-0 ndaj Como në fundjavë. Klubi raportohet se po shqyrton mundësinë e zëvendësimit të trajnerit, i cili nënshkroi një kontratë të përhershme vetëm këtë verë.

Megjithatë, me kroatin që përfiton një pagë bruto prej 8 milionë eurosh, Juventusit mund t’i jetë e vështirë ta shkarkojë atë, pasi ish-trajneri Thiago Motta është ende në listën e pagave të klubit.

Sipas Calciomercato, Juventusi po paguan një pagë bruto prej 12 milionë eurosh për Mottën dhe stafin e tij teknik, pas shkarkimit të tij sezonin e kaluar. Së bashku me pagën e Tudor prej 8 milionë eurosh, klubi aktualisht po shpenzon gjithsej 20 milionë euro për paga të stafit teknik.

Pas humbjes së fundit 2-0 ndaj Como, që zgjati serinë pa fitore në gjashtë ndeshje, Juventusi ka nisur vlerësime të brendshme për të konsideruar zëvendësues të mundshëm si Roberto Mancini dhe Edin Terzic.

Megjithatë, situata është e ndërlikuar nga hetimi në vazhdim i UEFA-s për një shkelje të mundshme të rregullave të Fair Play-it Financiar (FFP).

‘Bianconerët’ po hetohen për tejkalim të kufirit të humbjes së lejuar prej 90 milionë eurosh gjatë tre sezoneve mes viteve 2022/2023 dhe 2024/2025. Ky kontroll mund ta bëjë financiarisht të vështirë për Juven shkarkimin e Tudor dhe emërimin e një trajneri të tretë që do të paguhej njëkohësisht.

Tudor e pasoi Mottën, i cili ishte emëruar trajner i Juventusit në fillim të sezonit të kaluar, nën drejtimin e atëhershëm të drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli.

Megjithatë, periudha e tij te Juventusi nisi ngadalë, pasi skuadra arriti vetëm 13 fitore dhe 11 barazime në 27 ndeshje të Serie A, përfshirë një barazim spektakolar 4-4 kundër Interit në Derby d’Italia në ‘Giuesppe Meazza’.

Tudor do të synojë një përmbysje, ndërsa Juventusi përgatitet për një udhëtim sfidues në ‘Santiago Bernabeu’ për t’u përballur me Real Madridin në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/