Juxhin Xhaja ndodhet i karantinuar në shtëpinë e tij ndërsa pret për të rinisur futbollin. Gjyqtari i njohur i Superiores, ka folur për “Fun Zone”, ku ka përmendur edhe derbin e fundit mes Tiranës dhe Partizanit i cili u kritikua për vendimet e tij.

Gjyqtari i kolegjiumit kryeqytetas ka treguar futbollistët që i pëlqejnë në Superligë, ndërsa në fund ka zbuluar edhe ëndrrën sa i përket karrierës si arbitër.

“Tifoz? Është pyetje që bien poshtë kjo sepse s’jemi tifozë. Nuk është se jam simpatizant edhe në Europë. Më pëlqejnë njerëzit që kanë arritur me meritë, si për shembull Cristiano Ronaldo.

Nota në derbi e fundit? Kam marrë notë pozitive. Kam marrë notën më të lartë.

Detajet nga një arbitër? Arbitrat e elitës janë shembull për të gjithë, jo vetëm për ne. Te një gjyqtar shihet zakonisht se sa afër aksionit është. Kur është afër, vendimmarrja është optimale. Pozicionimi është pjesa më e rëndësishme. Por, gjithashtu edhe pjesa e autoritetit. Nëse s’ke autoritet je i padukshëm në fushë.

Probleme? Ne në çdo ndeshje, nxjerrim gabime nga vetja. Për shembull kur janë topa të gjatë, sprintet, kur jemi larg nga aksioni. Në momentin që ka top të gjatë, gjyqtari duhet të sprintojë. Një ndeshje, si ngjan tjetrët.

Lojtari më problematik dhe më i mirë? Personalisht nuk është se kam hasur ndonjë lojtar shumë problematik. Nuk ka shkuar deri aty situata. Në një moment mund të replikojnë, por pasi mbaron 90 minutëshi vjen e të kërkon falje. Tani është më fair, çdo gjë është OK.

A di të gatuaj? Jo s’jam shumë i dhënë. Pjatat e preferuara janë pastat.

Ndeshja më e vështirë? Do të fus ndeshjen e sezonit të parë, Kukësi – Vllaznia, në Kukës. Ishte ndeshje shumë e shpejtë me raste penalltie dhe jo penalltie.

Ndeshja më e bukur? Skënderbeu – Luftëtari, s’kishte nevojë fare për arbitër. Unë u kënaqa.

Lojtarë të mirë? Superliga jonë ka shumë të rinj premtues, shoh 2-3 prej tyre. Është një lojtar i Teutës, Lorenco Vila, Xhixha i Laçit, Muçi i Tiranës janë shumë me prespektive.

Ëndrra? Dua të gjykoj një ndeshje në Europë, të arbitroj në grupet e Europa League dhe Champions League”, përfundoi ai.