Pasquale Bruno, ish-mbrojtës i Torino-s, i cili ka patur pseudonimin “Kafsha”, ka folur për Torino-n e në 1992-it, që arriti deri në finalen e Kupës UEFA, ku u mund nga Ajax. “Ajo ka qenë një skuadër e përbërë nga lojtarë të mëdhenj, me një trajner të madh. Kane qenë futbollistë me karakter dhe me klas, si Martin Vazquez, Scifo, Lentini, Casagrande, Aguilera. Një skuadër e madhe me rezultate të mëdha”. Në vazhdim, Bruno ka folur për futbollin e sotëm.

“E ndjek shumë pak futbollin e sotëm sepse nuk është futboll i vërtetë: ka lojtarë që sillen sikur të ishin futbollistë të vërtetë, por që nuk janë të tillë. preferoj të shikoj futbollin anglez, sepse ai italian është në një nivel shumë të ulët dhe e kam të vështirë ta ndjek”.

“Në kohën tonë luhej futboll i vërtetë, jo vetëm te Torino, por edhe të Napoli i Maradona-s, Milan-i i Van Basten. Kanë qenë lojtarët më të mëdhenj të botës, për këtë arsye nuk është e lehtë të bëjmë krahasime me atë që shohim sot, ndoshta është e pamundur. Si mund të krahasohet Bonucci me Scirea-n. Unë zgjedh futbollin e Maradona-s dhe Van Basten, ata mund të mbajnë atë të Icardi-t me shokë”.