Sukseset e shumta të vitit 2017 me të gjitha grupmoshat, nuk u ka mjaftuar drejtuesve dhe sportistëve të ekipit të boksit të Vllaznisë për t’i festuar të qetë festat e fundvitit. Arsyeja është se pikërisht ditën e sotme u ka mbërritur një lajm i keq. Një lajm që padyshim ua ka prishur jo pak humorin. Ka të bëjë me tërheqjen e sponsorit të tyre, firmës “Albtiefbau”.

Kjo e fundit prej disa vitesh ka qenë pranë këtij ekipi duke financuar kryesisht në grumbullimet e ekipit dhe zhvillimin e fazëve përgatitore të cilat kanë ndihmuar padyshim në rritjen e cilësisë sportive. Por nga tani e më tutje, kjo firmë nuk do ta financojë më boksin shkodran. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Shkodra Sport” kryetrajneri Zef Gjoni i cili shprehet: “Me keqardhje e them por pas kontaktit që kam patur me dy ortakët e firmës “Albtiefbau” Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi, ata më kanë konfirmuar lajmin e keq se nuk do të jenë më sponsorë të ekipit. Natyrisht që kjo do të ndikojë tek ekipi jonë sepse me financimet e saj kjo firmë na ka ndihmuar shumë me zhvillimet e fazëve përgatitore dhe grumbullimet e ndryshme por natyrisht që ata tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre. I falenderojmë pa masë për kontributin që kanë dhënë për boksin shkodran dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim Bashkinë Shkodër apo dhe ndonjë sponsor tjetër për të na qëndruar pranë sepse viti 2018 është shumë i rëndësishëm për ne ngaqë kemi objektiva madhore si në arenën kombëtare dhe veçanërisht në atë ndërkombëtare, prandaj na duhet mbështetje më e madhe financiare”.
© shkodrasport.com