Shkruar nga Gjergj KOLA
Kur flasim për Vllazninë, ajo nuk është vetëm futbollisti në fushën e lojës apo trajneri. Ky emër, mbi të gjitha, ka lidhje me tifozët e saj të zjarrtë dhe të mrekullueshëm, të cilët konsiderohen të veçantë nga të gjithë.
E nëse flasim për tifozët, kurrsesi nuk mund të anashkalosh njërin prej tyre, atë që njihet ndryshe si “kryetifozi” i Vllaznisë, Astrit (Tuti) Rrahmani.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai ka ditëlindjen. Feston 63-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Tuti, siç e njohin të gjithë, ka rreth 45 vite që është pranë Vllaznisë, skuadrës së tij të zemrës. Kuptohet, ka përjetuar shumë kënaqësi, por edhe zhgënjime, por asnjëherë nuk e ka tradhtuar skuadrën e zemrës dhe ka vazhduar ta mbështesë në çdo moment.
“Kryetifozi” kuqeblu ka shpenzuar edhe shumë nga ana financiare për të organizuar, për vite të tëra, tifozët dhe, në fakt, pakkush e ka vlerësuar ashtu siç duhet këtë kontribut. Për tifozë të tillë, në fakt, ka nevojë edhe sot Vllaznia, gjithnjë e më shumë. Tifozë që asnjëherë nuk e braktisin, tifozë që qajnë dhe qeshin kur ajo luan.
“Boria” e njohur e Tutit, me siguri që do të vazhdojë të dëgjohet fort në stadiumet ku do të luajë Vllaznia, sepse kjo është një nga gjërat që ai di të bëjë më mirë: të ndezë atmosferën dhe të mbështesë ekipin e zemrës.
Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe sa më shumë kënaqësi të përjetuara me Vllazninë e tij të zemrës!
Gëzuar, Tuti! Kuqeblutë kanë ende nevojë për zërin dhe borinë tënde!


