Kalendari i ndeshjeve të para të Vllaznisë për vitin 2020 është “sikur të ishte zgjedhur vetë me dorë” nga drejtuesit e saj. Brenda 8 ditësh, kuqeblutë do të luajnë tre herë rresht në “Loro Boriçi” dhe padyshim që ky është një favor jo i vogël për ta.

E kemi fjalën për ecurinë në përgjithësi pasi për Vllazninë e këtij sezoni nuk është ndonjë favor i madh të luajturit në shtëpi, ngaqë nuk kanë arritur të marrin rezultatet e duhura.

Por stafi teknik dhe vetë lojtarët gjatë kësaj periudhe kanë punuar shumë edhe në aspektin psikologjik dhe shpresojnë që nisja e këtij viti të shoqërohet me rezultate pozitive për skuadrën.

Vllaznia do të luajë të martën në orën 14.00 në “Loro Boriçi” ndeshjen e javës së 18-të të Kategorisë Superiore ndaj Flamurtarit të Vlorës.

Katër ditë më vonë, pra të shtunën më datë 25 janar, Vllaznia do të presë po në këtë stadium ekipin e Laçit këtë herë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të, pra të parën e fazës së tretë të kategorisë Superiore, takim ky i planifikuar të luhet në orën 17.00.

Sfidat në Shkodër për Vllazninë do të vijojnë me të tretën rradhazi, atë që do të luhet të mërkurën më 29 janar, ora 14.00 sërish ndaj Flamurtarit, por këtë herë në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Një start i mbarë në këto tre ndeshje do të ishte një nisje e shkëlqyer e vitit për Vllazninë dhe që do ta afronte atë edhe më shumë me arritjen e objektivave të këtij sezoni.
© shkodrasport.com

KALENDARI I JANARIT PËR VLLAZNINË:

21 JANAR ORA 14.00 VLLAZNIA- FLAMURTARI (KATEGORIA SUPERIORE)

25 JANAR ORA 17.00 VLLAZNIA- LAÇI (KATEGORIA SUPERIORE)

29 JANAR ORA 14.00 VLLAZNIA- FLAMURTARI (KUPA E SHQIPËRISË)