UEFA ka zyrtarizuar këtë mesjavë kalendarin e saj të ri të aktiviteteve sportive, për atë që mbetet nga 2019-2020 dhe sidomos për pjesën e parë të edicionit 2020-2021.

Një kalendar ku ajo është munduar që të mos cënojë strukturën e saj, por që do të ndikojë dukshëm kampionatet kombëtare, me Superioren mes atyre që do të shohë të ngjeshen në mënyrë të paevitueshme ndeshjet e saj në edicionin pasardhës.

Zhvillimi i sfidave kualifikuese për në Ligën e Europës dhe Ligën e Kampioneve edhe në shtator, pa ndryshuar pauzat dyjavore që u përkasin kombëtareve në shtator, tetor dhe nëntor, ka bërë që shumë kampionate të mos mund të planifikojnë ndeshje në pjesnë më të madhe të mesjavëve të këtyre muajve.

Meqë mund të ketë skuadra të Superiores në garat ndërkombëtare gjatë shtatorit, FSHF do ta ketë të pamundur që të programojë gjithashtu ndeshje në mesjava dhe duket e vështirë që të arrijë të gjejë kohën për të zhvilluar pa mbingarkesë dy fazat e para të kampionatit sipas formulës aktuale, pa harruar edhe raundet e para të Kuëps deri në pushimin e dimrit.

Si rrjedhojë, do të jetë e detyruar që të fillojë aktivitetin shumë më herët në gusht, duke bërë pak pushime para fillimit të sezonit të ri, meqë ky aktual mbyllet në fundin e korriku. Ose do të zhdukë pjesë të pushimit tradicional të janarit, ose ta shkurtojë në mënyrë të ndjeshme.

Sido që të vendoset, ngjeshja do të jetë e paevitueshme, duke llogaritur se edhe pjesa e dytë e sezonit, ajo që shtrihet gjatë vitit 2021, duhet të përfundojë më shpejt se zakonisht, për shkak të zhvillimit të Euro 2020 që u shty në verën e vitit 2021. /vipsport/