Vllaznia është një skuadër që këtë merkato është ndërtuar pothuajse nga e para. Klubi shkodran ndryshoi edhe trajnerin duke emëruar në krye të saj teknikun gjerman Tomas Brdaric. I ftuar në emisionin “TV Rozafa”, trajneri i skuadrës shkodrane ka folur për merkaton e bërë, sezonin e ri si dhe zbulon negociatat me Gilman Likën.

“Kam dëgjuar që Gilman Lika është një një lojtar popullor dhe mjaft i dashur në qytetin e Shkodrës. Kam pasur një bisedë me të, por më vonë kam marrë vesh që nuk është gjetur marrëveshja dhe unë nuk mund të ndikoj në zgjedhjen e tij.

Do të ishte shumë mirë nëse ai do të qendronte, por kam dëgjuar që Lika dëshironte të luante për një tjetër skuadër. Për afrimet e bëra ka një bord drejtues që ka “hapur thesin” dhe marrin vendime.

Ne tani kemi një bazë dhe të vazhdojmë përpara për të arritur rezultate. Është e rëndësishme që çdo lojtar të bëjë maksimumin e tij dhe kjo është detyra ime që të nxjerrë më të mirën nga ata”.

Keni kërkuar ndonjë lojtar në veçanti? “Nuk është në dorën e një personi që të afrojë lojtarët. Nëse unë do të afroja një lojtar doja të afroja Lewandowski apo e Griezmann, por ja që nuk vendos vetëm unë.

Të gjithë lojtarët që kanë ardhur unë kam pasur influencë dhe kam biseduar më parë me ta duke iu bërë të ditur projektin që ne kemi. Madiangu duhet të tregojë veten e tij duke parë edhe karrierën që ka pasi ne presim shumë nga ai, por nuk duhet të varemi vetëm nga një futbollist.

Mendoj që kemi një skuadër të kompletuar dhe jemi gati për sezonin e ri. . Kam dëgjuar lajme të ndryshme që thonë që Vllaznia nuk është gati, por është detyra jonë që ne t’i mbushim mendjen atyre që jemi gati”, është shprehur Brdariç./newsport/