Opinion nga Armando CUNGU

 

Duke u nisur edhe nga përvoja që kam pasë gjatë punës time si trajner tek Vllaznia, dëshiroj të ndalem në një aspekt sa i takon merkatos së Vllaznisë. Unë kam qenë dhe jam skeptik për ardhjet e lojtarëve në janar. Sidomos atyre të huajve. Përderisa pranojnë të vijnë në Shqipëri, kjo do të thotë se vijnë ose ata futbollistë që nuk kanë formën e duhur dhe janë skarco në ekipet e tyre, ose ata që janë përjashtuar për arsye disiplinore. Mund të jenë edhe disa lojtarë të tjerë që kanë kaluar periudha dëmtimesh dhe duan kohën e vet për të ardhur në formë. Prandaj tek Vllaznia po vijnë shumë lojtarë për provë por unë nuk kam shumë besim. Ashtu siç nuk jam shumë dakord me mënyrën si vijnë dhe kush menaxher i bie. Prej kohësh kam hedhur idenë që klubi Vllaznia duhet të ketë menaxherin e vet. Po marrim si shembull edhe caktimin e një rroge mujore prej 1 milionë lekësh të vjetra. I thotë 12 muaj punë, 12 milionë lekë. Ky menaxher i klubit nuk e ka punën në Shkodër të ndjekë Vllazninë. Ai duhet të jetë gjithnjë në udhëtim. Të shkojë në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, të ndjeki një lojtar në 4-5 ndeshje dhe pasi të bindet për aftësitë e tij, konsultohet me trajnerin, e ndjekin sërish sëbashku dhe në fund, të paktën ka garanci 100 për qind që ai lojtar bën për Vllazninë. Rroga e këtij menaxheri do ishte 12 milionë lekë të vjetra në vit ndërkohë që v vjen një lojtar si Petroviç për të cilin harxhohen 30-40 mijë euro dhe thuhet tani “nuk bën”. Menaxheri madje nuk sheh vetëm për një lojtar por për disa duke krijuar ide të qarta për secilin prej tyre. Kjo mendoj është zgjidhja ideale dhe që kursen më shumë para për klubet tona të varfëra që harxhojnë miliona e miliona lekë për lojtarë të nivelit mediokër. Ndërkohë sa i takon çështjes së trajnerit, këtu si gjithmonë duan të përzihet gjithëkush me detyrat e tij. Përderisa i është besuar gjithçka vatës nuk ka pse të diskutohen gjëra të tilla. Atij i duhet lënë koha e duhur në dispozicion për ta çuar deri në fund projektin e tij. Njëkohësisht drejtuesit e klubit duhet ta thonë publikisht objektivin e tyre. Nëse pretendojnë Kupat e Europës atëherë duhen blerë lojtarë, nëse jo atëherë do ishte më mirë që të mos kishte asnjë lojtar të huaj por të besojmë tek këta të rinj në mënyrë që sezonin tjetër, të kemi “brumin” tonë. Ky është mendimi dhe logjika ime për këtë çështje.

shkodrasport.com