“Vllaznia B” ka fituar dje me rezultatin e thellë 7-2 ndaj “Kukësi B” në ndeshjen e rradhës për kampionat duke përsëritur kësisoj të njëjtën fitore që arriti pak javë më parë edhe ndaj “Tirana B” në kryeqytet.

Njëri nga protagonistët e suksesit të djeshëm ka qenë padyshim edhe sulmuesi Kamelio Palushani i cili në këtë mori golash të shënuar në portën kukësiane, nuk kishte si të mungonte për të lënë edhe ai gjurmën e tij.

Ka shënuar dy gola në pjesën e dytë duke kompletuar këtë fitore, por ajo çka është më interesantja, ka të bëjë me faktin se nuk është hera e parë që ndodh me të.

Ka shënuar edhe ndaj Sopotit në fazën e parë dy gola, më pas një gol ndaj Spartakut, dy gola edhe ndaj Adës, dy edhe ndaj Tirana B dhe po dy edhe dje ndaj Kukësi B. Vetëm një herë “i ka rrëshqitur” pa shënuar edhe të dytin, pikërisht ndaj Spartakut, sepse në katër takimet e tjera, ka shënuar nga dy.

Në total ka zhvilluar 12 ndeshje me “Vllaznia B” dhe ka arritur të shënojë 9 gola. Një ecuri shumë e kënaqshme e këtij lojtari që jo më kot është edhe pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë.

Nuk përjashtohet mundësia që në javët e ardhshme, atij t’i besohen minuta edhe me ekipin e parë tashmë që ai po shkon drejt arritjes së objektivit dhe do t’u japë më shumë minuta lojtarëve të rinj. Dhe padyshim që Palushani e meriton këtë gjë me mënyrën si po luan dhe golat që po shënon.
© shkodrasport.com