Diego Ribas da Cunha është tërhequr nga futbolli në moshën 37-vjeçare. Fantazisti brazilian, autor i 34 ndeshjeve dhe 4 golave me pesë herë kampionët e botës me të cilët fitoi dy herë Kupën e Amerikës, luajti me skuadra si Santos, Porto, Werder Bremen, Juventus, Wolfsburg, Atletico Madrid, Fenerbahce dhe Flamengo.

Me kuqezinjtë nga Rio De Janeiro luajti prej vitit 2016, teksa të shtunën zbriti për herë të fundit në fushë në përballjen Flamengo-Avai (1-2). Në fundin e ndeshjes, Diego përshëndeti shokët e skuadrës, stafin dhe tifozët në fushën e blertë të lojës, duke marrë ovacionet e të pranishmëve në tribunë.

Mesfushori ofensiv fitoi 22 trofe. Ai u shpall kampion në Portugali, Spanjë dhe Brazil, ndërkohë që me Flamengon fitoi dy herë Kupën Libertadores. Në fund vendosi t’i trashëgonte fanellën me numër 10 Gabriel Barbosës, goleadorit të Flamengos.

“Nga të gjitha ofertat që kam marrë, asnjë nuk ka ngjallur kuriozitet tek unë. Nuk mund të shkoj në një klub tjetër dhe të mos jap 100%. Nuk do të isha korrekt me veten, kështu që kam marrë këtë vendim për t’u larguar tani”, deklaroi Diego në lidhje me vendimin për t’u tërhequr.