Duhej të luheshin nesër ndeshjet e rradhë të kampionatit kombëtar të basketbollit si për femra ashtu edhe për meshkuj, megjithatë nuk do ndodhë kështu. Sekretari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, shkodrani Korab Llazani ka bërë të ditur për www.shkodrasport.com se ndeshjet nuk do luhen këtë të dielë. “Pati një shtyrje nga e shtuna për të dielën për shkak të ditës së zisë që ishte në vendin tonë, por më duhet të lajmëroj se ndeshjet nuk do të luhen as të dielën. Se kur do të zhvillohen, kjo do vendoset ditën e hënë nga ana e Federatës”- ka thënë ai. Në këtë mënyrë, nesër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” nuk do të luhet ndeshja e meshkujve mes ekipeve të Vllaznisë dhe UAT-së e cila ishte planifikuar të luhej në orën 16.00. Po ashtu, nuk do luhet as ndeshja e femrave në Elbasan mes ekipit vendas dhe Vllaznisë.