Shefi i Departamentit të futbollit amator në FSHF, Jurgen Demneri, ka folur për kampionatin 5×5, ku ka pasur një rritje të madhe ekipesh dhe futbollistësh amatorë të interesuar për t’u bërë pjesë vit pas viti, sidomos në Shkodër.

“Kampionati 5×5 vitin e kaluar ka pasur një numër të konsiderueshëm prej 140-ekipesh në të gjithë Shqipërinë, por në këtë edicion të ri, pretendojmë që numri të jetë akoma më i madh, duke qenë se kemi qytete si Shkodra apo Vlora, që kanë një rritje goxha të madhe të numrit të ekipeve. Ky kampionat është pak a shumë i njëjtë me kompeticionin e 9×9, ku edhe këtu marrin pjesë futbollistët amatorë.

Ky është një kampionat që ndihmon të rinjtë që të dalin nga rutina, nga puna apo për t’u larguar nga streset e përditshme. Sipas rregullores, çdo ekip mund të ketë maksimumi një numër prej 15-futbollistësh, të cilëve u garantohet uniforma e lojës, topat, pagesa e fushës, mjeku sportiv, gjyqtarë profesionistë, delegatë dhe çdo shërbim tjetër.

Çdo futbollist që merr pjesë në kampionatet amatore, mund të kontrollojë veten e vet në çfarëdolloj momenti për të parë renditjen e ekipit, golat e shënuar, kartonët, pra në aspektin organizativ çdo gjë është në nivel profesionist”,-mbylli prononcimin e tij, shefi i departamentit të futbollit amator në FSHF, Jurgen Demneri.
Maringlen ZHIVANI